Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet të enjten me zëvendës kryeministrin kinez Liu He në Shtëpinë e Bardhë në përfundim të raundit të dytë të negociatave që synojnë zgjidhjen e përplasjeve për çështje tregtare mes dy superfuqive ekonomike.
Në një postim në Twitter të enjten në mëngjes, zoti Trump tha se bisedimet "po shkojnë mirë, falë qëllimit të mirë të të dyja palëve". Ai shtoi se "nuk do të arrihet asnjë marrëveshje përfundimtare, derisa miku im Xi dhe unë të takohemi në një të ardhme të afërt, për të diskutuar dhe për të rënë dakord për disa nga çështjet më të vështira".
Liu He në cilësinë e kryenegociatorit për Kinën, u takua të mërkurën me ekipin amerikan të udhëhequr nga përfaqësuesi për Tregtinë Robert Lighthizer për të vazhduar diskutimet rreth ankesave të kahershme të Uashingtonit se Pekini i detyron kompanitë amerikane të transferojnë të dhëna mbi teknologjinë tek kompanitë kineze si dhe për kufizim të qasjes në tregun e madh kinez.
Negociatat u vunë në rrezik nga padia që ngritën të hënën prokurorët amerikanë ndaj Meng Wanzhou, zyrtares kryesore për financat të gjigantit kinez të telekomit “Huawei”. Sipas aktakuzës zonja Meng, kompania Huawei si dhe kompani të tjera bashkëpunëtore komplotuan me qëllimin për të shkelur sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit si dhe për të mashtruar institucionet financiare e qeverinë amerikan lidhur me aktivitetet e tyre. Arrestimi i Meng në Vankuver të Kanadasë më 1 dhjetor me qëllim ekstradimi në Shtetet e Bashkuara, shkaktoi zemërimin e autoriteteve kineze