OBSH, emigrantët nuk po sjellin sëmundje infektive në Evropë 

Refugjatët dhe emigrantët që mbërrijnë në Evropë nuk kanë sjellë sëmundje infektive, thotë një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në studimin e saj të parë për shëndetin e emigrantëve në Evropë, OBSH-ja u bën thirrje qeverive evropiane t’u sigurojnë emigrantëve qasjen në shërbimet shëndetësore.

Italia urdhëroi në muajin nëntor konfiskimin e anijes me emigrantë “Aquarius”, duke pretenduar se në bord kishte rroba të infektuara të lëna pas nga refugjatë që mund të ishin të infektuar me AIDS, meningjit dhe turbekuloz. Ekspertët e mjekësisë e hodhën poshtë këtë pretendim.

Autorët e raportit të OBSH-së thonë se ky është një shembull i legjendave për shëndetin e emigrantëve që mbërrijnë në Evropë.

“Refugjatët dhe emigrantët që vijnë në Evropë, nuk sjellin me vete sëmundje ekzotike të transmetueshme. Sëmundjet që ata mund të kenë, janë të pranishme prej kohësh në Evropë. Gjithashtu, kemi programe shumë të mira parandalimi dhe kontrolli për këto sëmundje”, thotë Dr. Zsuzsana Jakab, e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Megjithë kushtet e tmerrshme me të cilat përballen, raporti i OBSH-së thotë se emigrantët kanë përgjithësisht shëndet të mirë. Por, ata rrezikohen të sëmuren gjatë udhëtimit.

Njerëzit që largohen nga vendet e tyre përballen me një ekspozim më të madh ndaj infeksioneve, me kushte të varfëra jetese dhe me mungesën e kujdesit shëndetësor.

“Në shumicën e vendeve, emigrantët e paligjshëm nuk mendoj se kanë qasje tek sistemet e kujdesit shëndetësor. Emigrantët e paligjshëm janë të padukshëm në sytë e autoriteteve”, thotë zonja Jakab.

OBSH-ja paralajmëron se ndërsa po zhvillohet një debat jomiqësor për emigracionin në Evropë, shumë vende mund të mos përmbushin nevojat shëndetësore të popullsisë emigrante.