Studentë të universiteteve publike po vazhdojnë sot për të 13-tën ditë protestën e tyre me 8 kërkesa ekonomike dhe akademike.
Prej shumë ditësh është e njëjta gjendje; kryeministri kërkon dialog dhe shpreh dyshime se ata po i përdor opozita, ndërsa studentët thonë se duan kërkesat e tyre.
Your browser doesn’t support HTML5
Pas 7 ditë protesta te ministria e arsimit, kjo është dita e 6 e protestës para kryeministrisë. Studentët po sfidojnë edhe të ftohtin dimëror dhe rreshjet e shiut, duke e vazhduar protestën ditë - natë.
Ata thonë se nuk e kishin menduar kurrë që kryeministri Rama do t’i linte dy javë pa mësim, derisa thotë se 8 kërkesat e tyre janë të drejta dhe të realizueshme. Sot, qysh nga mëngjesi u zhvillua një protestë më e madhe në numra.
Protesta nisi në orët e para të ditës, kur studentët e mbledhur nëpër fakultete, u bashkuan më vonë para selisë së qeverisë.
Kryeministri Rama publikoi një foto nga ajri, ku dukej një numër i vogël protestuesish, ndërsa studentët thonë se numrat në tubim nuk kanë asnjë rëndësi, përderisa të gjithë universitetet janë paralizuar nga protesta dhe në asnjë auditor nuk zhvillohen leksione.
Studentët kërkojnë të përgjysmohen tarifat universitare, të rritet buxheti për arsimin dhe të marrin pjesë në bordet e menaxhimit të fakulteteve dhe në zgjedhjen e drejtuesve të universiteteve.
Studentëve të universiteteve të Tiranës iu bashkuan edhe grupe studentësh nga universitetet e qyteteve të tjera, Durrësi, Elbasani, Shkodra.
Protestuesit kanë ndërprerë studimet qysh prej dy javësh dhe thonë se kërkesat e tyre janë të panegociueshme dhe se nuk do të bisedojnë me asnjë prej autoriteteve shtetërore dhe universitare.
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kthyer buxhetin e shtetit për rishqyrtim, si një mundësi për të plotësuar kërkesat e studentëve, që lidhen me buxhetin, dhe ky diskutim u programua për ditën e enjte në parlament.
Kryeministri Edi Rama edhe sot komentoi në rrjetet sociale se protestuesit para zyrave të tij ishin veprimtarë të opozitës dhe se ai priste të dialogonte me përfaqësues të studentëve. Por studentët thonë se ata janë të fokusuar te kërkesat e tyre dhe se nuk po përdoren nga asnjë forcë politike për qëllime partiake.
Zoti Rama mori pjesë në një mbledhje rutinë me drejtues të institucioneve kryesore të shtetit mbi luftën ndaj krimit të organizuar, ku mbajti edhe një fjalë të shkurtër pa ndonjë lidhje me protestën e mijëra studentëve.
Studentët thonë se protesta e tyre nuk ka përfaqësi dhe askush nuk mund të flasë në emër të tyre.
Ata thonë se nuk mund të dialogojnë me kryeministrin, e para se nuk janë teknokratë për hartim ligjesh dhe vendimesh, dhe se nga ana tjetër, bisedime të tilla shpesh kanë rezultuar thjesht si shou mediatik për imazh propagandistik, ndërsa ata duan zgjidhje konkrete.