Presidenti francez Emmanuel Macron, të hënën mori përgjegjësinë për reagimin ndaj protestave anti-qeveritare që kanë tronditur vendin. Me tone vendosmërie por edhe përuljeje, zoti Macron u përpoq të shuante kritikat se interesohet më shumë për të pasurit se sa për qytetarët e zakonshëm. Këto ishin komentet e tij të para publike që pas fillimit të protestave.
Presidenti Emmanuel Macron dukej i zbehtë dhe i nënshtruar ndërsa fliste në televizionin kryesor të hënën mbrëma. Ai premtoi rivendosjen e qetësisë, duke shpallur zero tolerancë ndaj trazirave që kanë shpërthyer në Paris dhe qytete të tjera. Por ai tha gjithashtu se ai e kuptonte zemërimin e grumbulluar prej vitesh dhe që po shprehej tani me të ashtuquajturat protesta të 'jelekëve të verdhë'.
"Ne ndoshta nuk kemi mundur, gjatë një viti e gjysmë, të dalim me një përgjigje mjaftueshëm të fortë dhe të shpejtë. Unë e pranoj pjesën time të përgjegjësisë. Ndoshta ju kam dhënë përshtypjen se ky nuk ishte shqetësimi im, se kisha përparësi të tjera. E kuptoj gjithashtu se me fjalët e mia mund të kem lënduar disa prej jush. Dua të jem shumë i qartë me ju sonte. Nëse kam luftuar për të shkundur sistemin politik, zakonet dhe hipokrizitë, këtë e kam bërë pikërisht sepse besoj shumë dhe e dua këtë vend".
Por zoti Macron qëndroi i palëkundur kundër protestuesve të rrugës, duke thënë se nuk do të ketë "asnjë lëshim" ndaj atyre që thyejnë dritaret, plaçkisin dyqane dhe sulmojnë policinë.
Presidenti shpalli një "gjendje të jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale". Ai ka anuluar tashmë një rritje të taksave të karburantit që u bë shkak për protestat rreth një muaj më parë.