Pritet vendimi për kryefinancieren e gjigandit kinez të teknologjisë

Një gjykatës kanadez do të rifillojë të martën një seancë për të vendosur nëse do ta lirojë me kusht kryefinacieren e gjigandit kinez të telekomit, Huawei Technologies, ndërsa ajo pret një ekstradim të mundshëm në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza për mashtrim.

Avokatët për biznesmenen Meng Wanzhou argumentuan ditën e dytë të seancave në një gjykatë të Vankuverit të hënën, se një kombinim paisjesh të teknologjisë së lartë dhe një garanci financiare miliona dollarëshe, japin siguri që ajo të mos arratiset.

Prokurorët thonë se ajo nuk duhet të lihet e lirë me kusht, pasi ka burime të shumta financiare dhe një arsye të fortë për t’u arratisur.

Përkrahës dhe kundërshtarë të lirimit të saj, u mblodhën para gjykatës.

"Jam e shqetësuar për të. Ka pasur disa probleme shëndetësore. Është mama me një fëmijë vetëm 10 vjeç që duhet të ketë kujdesin e nënës. Por fëmija është mirë”, thotë një përkrahëse e saj, Faith Wei.

Kina po proteston me forcë ndaj arrestimit të Mengut, duke e quajtur diçka “shumë te keqe” dhe po u kërkon Shteteve të Bashkuara që ta anulojnë kërkesën për ekstradim lidhur me akuzat se ajo shkeli ligjet amerikane që ndalojnë tregëtinë me Iranin.