Tiranë: Dita e gjashtë e protestës studentore. Kryeministri Rama mban fjalim një orë në Facebook

Kryeministri Edi Rama premtoi sot të përmbushë kërkesat e studentëve protestUEs pas një dialogu teknik në tryezë, i cili nuk mund të përjashtohet.

Mijëra studentë rinisën sot për të gjashtën ditë tubimin e tyre të protestës para ministrisë së arsimit, duke kërkuar përgjysmim të tarifave dhe rregullime të tjera në jetën universitare.

Zoti Rama premtoi mes të tjerash uljen 50 për qind edhe më tej të tarifave për studentët me rezultate maksimale dhe për studentët që vijnë nga familje me përkrahje sociale.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, studentët vazhdojnë protestat; kryeministri i fton në dialog

Ai tha përmes një komunikimi nga Facebook-u se sot nuk është Shqipëria e ultimatumeve dhe britmave, por e bisedave për të zgjidhur kërkesat.

Zoti Rama tha se është dakord që ka probleme me tarifat, por qëllimi i përbashkët është ta zgjidhim.

“Qeveria kërkon dialog dhe kërkesat e studentëve na gjejnë plotësisht dakord në kuptimin e nevojave, shqetësimeve dhe domosdoshmërisë për të shqyrtuar këtë problematikë komplekse. Protestat bëhen për t’u dëgjuar ndaj dialogu është i nevojshëm” - tha ai.

Zoti Rama tha se ka mbledhur 7-8 grupe me kërkesa të shfaqura nga studentët në rrjete sociale, dhe është gati të dialogojë dhe se i konsideron studentët si aleatë në reformimin e universiteteve.

Ai tha se nga ana tjetër tarfiat universitare i vendosin vet universitetet, ndërsa qeveria e ka për detyrë të respektojë autonominë e universiteteve.

Nga ana tjetër, studentët vazhduan protestën e tyre para ministrisë së arsimit. Ata thanë se kërkesat e tyre janë të panegociueshme dhe askush nuk është ngarkuar të bisedojë me kryeministrin në emrin e tyre.

Folësit nëpër megafonë përsëritin se protesta nuk ka kryesi, nuk ka përfaqësi, se ata janë të barabartë dhe se flasin njëzëri me kërkesat e shkruara, që iu drejtuan autoriteteve.

Studentëve të Tiranës iu bashkuan edhe studentët e universiteteve publiek të Durrësit, Elbsasanit, Vlorës, Shkodrës dhe Gjirokastrës, dhe protesta do të vazhdojë nesër e më tej, deri në plotësimin e kërkesave.

Ata nuk kanë pranuar asnjë figurë politike në radhët e tyre dhe refuzojnë çdo marrëdhënie me partitë, dhe theksojnë se qëllimi i tyre është vetëm plotësimi i kërkesave drejtuar zyrtarëve.