Komisioni i Venecias vlerëson se propozimi për verifikimin e politikanëve dhe lidhjeve të tyre me krimin nuk ka qartësi ligjore dhe siguri juridike, si për rastet që çojnë në pamundësinë për t’u zgjedhur dhe humbjen e mandatit, ashtu dhe për mekanizmin e zbatimit. “Pavarësisht qëllimit legjitim të propozimit në situatën aktuale në Shqipëri – i cili synon të largojë shkelësit dhe ndikimin e tyre në nivelet e lartë të qeverisjes dhe në jetën politike - projekti kushtetues për kontrollin e integritetit të politikanëve nuk arrin të ofrojë udhëzime të përshtatshme dhe masa mbrojtëse të nevojshme edhe në nivel kushtetues, për një proces kaq të madh, kompleks dhe të ndjeshëm, me implikime të rënda për të drejtat e atyre që i nënshtrohen”, thekson vlerësimi parparak i bërë nga ekspertët e Komisionit mbi ndryshimet në kushtetutë të propozuara nga opozita e cila e ka konsideruar një ndërhyrje të tillë si të domosdoshme për të ndërprerë lidhjet e qeveritarëve me krimin.
Sipas ndryshimeve të propozuara “përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.” Por sipas ekspertëve të Komisionit “projektligji nuk përcakton elementë kryesorë, sidomos (i) çfarë nënkuptohet duke pasur kontakt me persona të caktuar (ii) çfarë nënkuptohet duke u përfshirë në krimin e organizuar dhe (iii) çfarë nënkuptohet duke u përfshirë në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me persona”
E paqartë se si do të organizohet procedura e verifikimit dhe kush do ta kryejë këtë verifikim. Për më tepër, sipas Komisionit, “nuk janë propozuar masa mbrojtëse për të shmangur rrezikun që ai të mund të përdoret në një mënyrë të politizuar ose në mënyrë arbitrare”.
Opozita ka këmbëngulur fort në faktin se në këtë rast ajo po kërkon të zbatojë të njejtën praktikë që është zbatuar në rastin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, madje për këtë arsye ajo e konsideroi të kotë përfshirjen e Komisionit të Venecies, duke qenë se ky institucion është shprehur më parë për rivlerësimin e gjyqtarëve e prokurorëve e po ashtu dhe për të ashtuquajturin Ligj i Dekriminalizimit. Por në shpjegimin e tyre, ekspertët e Venecies theksojnë se “përfundimet e arritura në opinion e mëparshëm të Komisionit, në lidhje me verifikimin e gjyqësorit në Shqipëri nuk janë automatikisht të zbatueshme për verifikimin e synuar të politikanëve. Dega gjyqësore e qeverisë ka specifika të ndryshme (gjykatësit zakonisht emërohen për jetë, duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm, ata nuk janë drejtpërdrejt përgjegjës ndaj degëve të tjera të qeverisë, pozita e tyre nuk mund të sfidohet nga elektorati në zgjedhjet e përgjithshme, vendimet e tyre nuk mund të anulohen nga askush jashtë sistemit gjyqësor, etj.) që justifikojnë një trajtim të diferencuar”.
Ekspertët vërejnë se paqartësitë në tekstin e propozuar “e bëjnë të pamundur që Komisioni i Venecies të gjykojë nëse propozimi mund të konsiderohet një përgjigje proporcionale ndaj asaj që padyshim është një problem real në Shqipëri”, thuhet në dokument. Komisioni shton se duke patur parasysh nenet ekzistuese të Kushtetutës shqiptare dhe legjislacionin në fuqi, në veçanti Ligjin e Dekriminalizimit si dhe mekanizmave të tjerë demokratikë në dispozicion, “vlera e amendamenteve të propozuara mund të vihet në pikëpyetje”.
Vendimi përfundimtar pritet të merret pas 10 ditësh, gjatë një seance ku do të jenë të pranishëm dhe përfaqësues të shumicës dhe opozitës shqiptare.