Ngushëllime dhe vlerësime filluan të vijnë nga ish-presidentët dhe figurat politike në të gjithë botën për ish-Presidentin amerikan, Xhorxh H.W. Bush, i cili vdiq të premten:
"Xhorxh H.W. Bush ishte një njeri me karakter të lartë dhe babai më i mirë që mund të kërkonte një bir apo bijë," tha ish-Presidenti Xhorxh W. Bush në një deklaratë pas njoftimit të vdekjes së babait të tij.
Presidenti Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, vlerësuan aftësinë e presidentit të 41-të për të frymëzuar "brezat e bashkatdhetarëve të tij në shërbim të publikut", që të jenë, sipas fjalëve të tij, "një mijë pishtarë drite" që ndriçojnë madhështinë, shpresën dhe mundësitë e Amerikës në botë. "
Zoti Trumps shtoi, "Së bashku me jetën e tij në shërbim të vendit, ne do të kujtojmë ish-Presidentin Bush për përkushtimin e tij ndaj familjes - veçanërisht dashurinë e jetës së tij, Barbaran".
Ish-Presidenti Jimmy Carter tha se ai dhe bashkëshortja e tij, Rosalynn, "janë thellësisht të pikëlluar nga vdekja e ish-Presidentit Xhorxh HW Bush, administrata e të cilit u shënua për hirin, qytetarinë dhe ndërgjegjen shoqërore. Ai përkrahu një frymë vullnetare unike amerikane, duke nxitur mbështetjen dypalëshe për shërbimin e qytetarëve duke frymëzuar miliona njerëz për të përqafuar vullnetarizmin e komunitetit si një përgjegjësi të çmuar".
Ish-presidenti Barak Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle, lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke thënë; "Jeta e Bushit është një testament për nocionin se shërbimi publik është një thirrje fisnike dhe e gëzueshme".
Zoti Obama kujtoi se George Bush dikur tha se ndjehej më shumë entuziastë që ishte një nga themeluesit e shoqatës YMCA në Midland, Teksas, në vitin 1952. Kjo ishte për të pothuajse gjëja më e mirë që ai kishte bërë ndonjëherë. "Çfarë dëshmie për cilësitë që e bëjnë këtë vend të madh", tha zoti Obama.
"Pak amerikanë kanë qenë - ose do të jenë ndonjëherë - në gjendje të barazojnë rekordin e Presidentit Bush për shërbimin ndaj Shteteve të Bashkuara dhe gëzimin që ai mori çdo ditë prej këtij shërbimi", tha Bill dhe Hillary Clinton, ish-president dhe sekretare e Shtetit. Ata vunë në dukje shërbimin ushtarak të George Bushit në Luftën e Dytë Botërore, punën e tij në Kongres, në Kombet e Bashkuara, Kinë, në Agjencinë Qendrore të Zbulimit, pastaj si Zëvendës President dhe President, ku ai punoi për të lëvizur botën e pas Luftës së Ftohtë drejt një uniteti më të madh, paqe dhe liri".
James Baker, ish-sekretar i Shtetit i George H. W. Bushit, tha se në çdo pozicion që mbajti, ai "udhëhoqi me forcë, integritet, dhembshuri dhe përulësi" karakteristika që përcaktojnë një njeri vërtet të madh dhe një udhëheqës efektiv ".
John Sununu, i cili ishte Shefi i Shtabit të George Bushit, shkroi në The Washington Post të shtunën, "Edhe pse ai (Bush) kurrë nuk do të ishte i kënaqur duke marrë kredi për suksesin e jetës së tij, shumica e historianëve tani bien dakord se Bushi ishte një president i madh që realizoi dhe ndihmoi ta bëjë Amerikën më të sigurt dhe botën më të qëndrueshme dhe më të begatë se kurrë më parë në histori".
Emiri i Kuvajtit, Shejh Sabah al-Ahmad al-Sabah, tha se George Bushi u përpoq të "krijonte një rend të ri ndërkombëtar të bazuar në drejtësi dhe barazi mes kombeve" dhe kurrë nuk "harroi popullin kuvajtian dhe do të mbetet në kujtesën e tyre.
Ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçov dhe George Bush punuan së bashku për t'i dhënë fund Luftës së Ftohtë në fund të viteve 1980 deri në fillim të viteve 1990, përmes gjërave të tilla si marrëveshjet e kontrollit të armëve SHBA-Rusi, duke përfshirë Traktatin e Reduktimit të Armëve Strategjike. Zoti Gorbaçov i dërgoi ngushëllime familjes Bush, duke thënë se ata "e vlerësuan thellësisht vëmendjen, mirësinë dhe thjeshtësinë tipike të George dhe Barbara Bush, si dhe pjesës tjetër të familjes së tyre të madhe, miqësore".
Presidenti rus Vladimir Putin, nëpërmjet faqes së internetit të Kremlinit, tha të shtunën: "Një njeri i shquar ka vdekur, i cili shërbeu vendit të tij tërë jetën, me armë në duart e tij gjatë kohës së luftës dhe në zyrën e lartë gjatë paqes".