Shqipëri, 52 shtetas grekë shpallen “persona non grata”

Në Shqipëri ministria e Brendshme njoftoi sot se ka vendosur të shpallë “persona non grata” dhe t’u ndalojë për pasoje hyrjen në të ardhmen në territorin shqiptar 52 shtetasve grekë, të cilët morën pjesë dje në ceremoninë mortore të minoritarit 35 vjeçar Kostandin Kacifas, i cili mbeti i vrarë disa ditë më parë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në Bularat të Gjirokastrës. Sipas zëvendës ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi masa ndaj tyre është marrë “për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi”.

Tonet e forta nacionaliste dhe thirrje antishqiptare, mbizotëruan përgjatë ceremonisë së varrimit mesditën e së enjtes në Bularat nga qindra pjesëmarrës të ardhur kryesisht nga Greqia. Një grup pjesëmarrësish në kortezhin mortor shfaqi një flamur në përmasa të mëdha ku shkruhej “Vorio Epiri është Greqi” dhe “Maqedonia është Greqi “. Sipas organizatorëve flamuri ishte shpalosur në demostratat kundër marrëveshjes greko-maqedonase për emrin e Maqedonise në Athinë e Selanik pak kohë më parë ku Kacifas kishte qenë pjesëmarrës. Koret në ceremoni krahas toneve luftarake dhe heroizuese përmbanin edhe thirrje antishqiptare madje edhe ndaj gazetarëve shqiptarë që po përcillnin ngjarjen. Pas varrimit një grup pjesëmarrësish bllokoi për pak minuta segmentin që lidh Gjirokastrën me Pikën e Kakavijës dhe më pas vargu i makinave dhe autobuzëve u rikthye drejt Greqisë.

Pas ceremonisë mortore, policia shqiptare njoftoi mbrëmë se ka proceduar penalisht dy shtetas grekë për nxitje të urrejtjes dhe ka shoqëruar në mjediset e policisë, 12 shtetas të tjerë, 6 grekë dhe 6 minoritarë, ndaj të cilëve po kryhen veprime proceduriale nga Prokuroria shqiptare. Policia e Gjirokastres tha se ka bllokuar materiale që nxisin urrejtjen dhe se atyre u janë gjetur dhe sekuestruar: maskë ngjyrë e zezë; flakadanë; flamuj me mbishkrimin “Vorio Epiri”; A.H 1914; bluza me mbishkrimin Vorio Epiri AH1914, “Ethniko Metepo”, “Misos” dhe 2 aparate celularë. Të gjithë u lanë të lirë sot në mëngjes dhe do të ndiqen në gjendje të lirë.

Zëvendësministri Lleshi deklaroi se e konsideron “të papranueshëm, provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individëve e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të pa tolerueshme ekstremizmi”. Zoti Lleshi shtoi se “sskush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”.