Edhe pse një karvan me migrantë nga Amerika Qendrore që po i largohen dhunës dhe varfërisë ekstreme ndodhet disa qindra kilometra larg kufirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën, Presidenti Trump ka filluar stacionimin e më shumë se 7 mijë trupave aktive në përgatitje për mbërrijen e karvanit.
Është ende herët për të parashikuar se ku do të përfundojë karvani me disa mijëra migrantë. Por ndërsa sot zhvillohen zgjedhjet për Kongres dhe trupat janë vendosur përgjatë kufit me Meksikën, banorët e Teksasit po debatojnë rreth vlerave që i karakterizojnë dhe po përpiqen t’i japin përgjigje pyetjes se cili është përkufizimi i krizës. Melanie Garcia është banore në El Paso.
“Ndjej se po i mirëpresim të tjerët, një karakteristikë e pëlqyeshme për El Pason.”
Lidhjet familjare dhe kulturore i bashkojnë banorët e Teksasit Perëndimor, të Nju Meksikos dhe të qytetit Juarez në Meksikë. Aty ku bashkohen këto komunitete dhe një meshë e përvitshme në kufi kujton të zhdukurit në kërkim të një jete më të mirë. Banorët thonë se do të jenë të gatshëm, nëse karvani arrin në qytetin e tyre. Luis Torres është gazetar në qytetin Juarez në Meksikë.
“Ata po përgatisin strehimore, po mbledhin ushqime dhe rroba sepse po afron dimiri.”
Marco Raposo është me dioqezën katolike në El Paso.
“E dimë se me se dhe si jetojnë dhe çfarë po përjetojnë. Pranaj kur të vijnë këtu do t’i presim mirë.”
El Paso mbahet si qyteti më i sigurtë në Teksas dhe i shtati në Shtetet e Bashkuara. Megjithëse është një distrikt demokrat, përpjekjet e mbështetësve të Presidentit Trump për të fortifikuar kufirin dhe penguar karvanin që të hyjë në territorin amerikan, janë të ngjashme me linjat e ashpra kundër imigracionit edhe gjetkë në Shtetet e Bashkuara. Ian Valdez është banor në El Paso.
“Nëse janë 7 mijë, çfarë i pengon ata të sjellin edhe 7 mijë të tjerë. Duhet vënë një kufi se ku dhe si mund të futen njerëzit në këtë vend.”
Karvani i zvogëluar është më pak se gjysma e atij numri. Por banori Aldo Coley mendon se vendosja e trupave është e domosdoshme për sigurinë.
“E bëjnë të duket sikur njerëzit po vijnë të armatosur por është e pamundur, por ne nuk e dimë se kush po vjen, apo jo? Ndaj ata duhet të tregojnë respekt për vendin ku duan të shkojnë, sikurse unë çdo ditë kur shkoj për të punuar në Meksikë, kam respekt për atë vend.”
Presidenti Trump ka cituar sigurinë kombëtare si arësye për marrjen e masave kundër azil-kërkuesve të mundshëm që udhëtojnë përmes rreziqeve në shtetin Veracruz të Meksikës. Por shumë banorë i quajnë veprimet e presidentit dhe retorikën si manovra politike para zgjedhjeve, që mund të përcaktojnë edhe mbështetjen që ai gëzon. Othon Medina është banor në El Paso.
“Nëse dy vendet apo fqinjët nuk bisedojnë për të zgjidhur problemin, fyerjet ndaj tyre dhe ngritja e një tjetër gardhi nuk do zgjidh gjë. Kjo nuk do të ndihmojë askënd.”
Anna Perez, pjestare e fisit Tigua Ysleta del Sur Pueblo në Teksas, përmed historinë e gjatë të kombit të saj sovran.
“Jo vetëm kombi im, por shumë kombe të tjera indigjene të Amerikës nuk janë respektuar për shekuj. Kemi 300 vite në këtë tokë, prandaj pse duhet të ndihemi të kërcënuar nga dikush tjetër?”