Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për armëpushim në Jemen, në mbështetje të përpjekjeve që po zhvillojnë Kombet e Bashkuara për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për vendosjen e paqes pas tre vjet luftime. Prej më shumë se tre vitesh në këtë vend vazhdon konflikti mes kryengritësve huti dhe forcave qeveritare të mbështetura nga një koalicion ndërkombëtar.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis thotë se është koha për të përparim drejt një zgjidhjeje për konfliktin në Jemen. Shefi i Pentagonit i bëri komentet në një diskutim në Institutin Amerikan të Paqes dje në Uashington:
“Duam një zgjidhje afat-gjatë. Për mua kjo nënkupton që brenda 30 ditësh të gjitha palët të jenë ulur në tryezën e bisedimeve për paqe bazuar në një plan armëpushimi, bazuar në tërheqjen nga zonat kufitare, bazuar në ndalimin e fushatës ajrore duke i dhënë mundësi të dërguarit special Martin Griffith, një person shumë kompetent, për t’i dhënë atij mundësi të ulet me palët në Suedi dhe të gjejnë një rrugëdalje nga konflikti. Vetëm kështu zgjidhet problemi”.
Ky konflikt që ka shkaktuar deri tani mijëra të vdekur, filloi pasi kryengritësit huti që mbështeten nga Irani, morën nën kontroll disa pjesë të Jemenit, përfshirë kryeqytetin.
Më shumë se tre vjet më parë, një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite filloi sulmet ajrore dhe më pas dërgoi edhe trupa tokësore në mbështetje të Presidentit Abdrabu Mansur Hadi.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se kjo kundërpërgjigje ka lënë shumë civilë të vrarë ose të plagosur.
I dërguari special i OKB-së, Martin Griffith u përpoq në shtator të sillte palët për bisedime në Gjenevë, por delegacioni huti nuk mori pjesë, pasi shprehu shqetësim se nuk ishin përmbushur kushtet e nevojshme për të garantuar sigurinë e pjesëtarëve të delegacionit.