Tiranë: Dorëhiqet ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj

Ministri i punëve të brendshme, Fatmir Xhafaj, dha sot dorëheqjen nga detyra, ndërsa kryeministri Rama e plotësoi kabinetin me këshilltarin e tij të sigurisë, Sandër Lleshi.

Your browser doesn’t support HTML5

Dorëheqja e Ministrit të Brendshëm në Shqipëri

Në njoftimin e tij në rrjetet sociale, zoti Rama e falenderoi ish- ministrin Xhafaj “për kontributin e çmuar”, ndërsa tani që “traseja është e shtruar”, “duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate”.

Zoti Xhafaj në një mesazh pas dorëheqjes tha se shërbeu "me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve".

Ai shtoi se u arritën "suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra".

Zoti Xhafaj është një nga politikanët kryesorë të Partisë Socialiste, deputet e ministër në disa mandate, si dhe kryetar i komisionit parlamentar të reformës gjyqësore.

Krahas vetingut në drejtësi, ai ideoi dhe procesin e vetingut në radhët e policisë, ndërsa drejtoi për shumë muaj operacionin “Forca e Ligjit”.

Gjatë mandatit të tij si ministër i punëve të brendshme, zoti Xhafaj u kritikua nga opozita për shkak të dënimit, që kishte marrë në Itali vëllai i tij Agron Xhafaj.

Ndërsa ky i fundit iu dorëzua drejtësisë italiane dhe ministri vazhdoi punën me disa operacione të tjera kundër kriminalitetit, kryeministri pranoi sot dorëheqjen e tij.

Opozita ka kërkuar edhe largimin e kryeministrit Rama për shkak të lidhjeve që ai mban, sipas saj, me njerëz të botës së krimit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shkroi në rrjetet sociale se "Fatmir Xhafa ishte i vetmi ministër të brendshëm në Europë me vëllain trafikant droge", dhe se largimi i tij "është një hap i rëndësishëm në betejën tonë për të pastruar politikën nga krimi'.

"Largimi i tij është vetëm fillimi i shkërmoqjes së bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin" - tha zoti Basha.

Akuza të ngjashme partia demokratike pati hedhur edhe ndaj ish ministrit të punëve të brendshme Saimir Tahiri, familjarët e të cilit akuzohen nga drejtësia italiane për trafikim të lëndëve narkotike.