Trump: Karvani sulm ndaj Amerikës

Presidenti Donald Trump thotë se karvani i imgrantëve që është nisur drejt Shteteve të Bashkuara nga kufiri jugor me Meksikën, përfaqëson “një sulm ndaj Amerikës”. Këto komente Presidenti i bëri të hënën në një miting në Hjuston të Teksasit, dy javë para zgjedhjeve të mesit të mandatit që mbahen më 6 nëntor.

Mijëra imigrantë kaluan ditët e fundit kufirin e Guatemalës me Meksikën, duke refuzuar që të sistemohen në Meksikë. Shumica e tyre janë nga Hondurasi dhe kërkojnë strehim në Shtetet e Bashkuara, për t’i shpëtuar dhunës dhe varfërisë në vendin e tyre.

Duke folur në një miting në Hjuston të Teksasit, Presidenti la të kuptohet se disa njerëz në mesin e karvanit të imigrantëve mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë e vendit.

“Karvani është një sulm i vërtetë ndaj vendit tonë. Në mesin e tij ka njerëz shumë të këqinj; ne nuk mund të lejojmë që kjo t’i ndodhë vendit tonë, kjo nuk ka për të ndodhur.” – tha Presidenti.

Zoti Trump tha se ai ka biseduar me guvernatorin e Teksasit Greg Abbot lidhur me grupin e imigrantëve dhe tha se Teksasi “do të ndërtojë një tjetër lloj muri” për të mos lejuar hyrjen e tyre, por nuk dha hollësi.

Ai po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara “do të fillojnë të ndërpresin, ose të pakësojnë ndjeshëm” ndihmën për vendet e Amerikës Qendrore, si Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori, që nuk i ndalën imigrantët gjatë rrugëtimit të tyre për të hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Dy javë para zgjedhjeve për në Kongres, Presidenti Trump, që vetë është republikan, është duke fajësuar demokratët për imigracionin masiv të kohëve të fundit drejt kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara.

Demokratët thonë se me çështjen e imigrantëve, Presidenti po përpiqet të largojë fokusin e publikut nga çështje të vështira për republikanët, si shërbimi shëndetësor dhe kritikojnë retorikën e ashpër të Presidentit, që i kategorizon shumë nga imigrantët si kriminelë.

Presidenti i sapozgjedhur meksikan, i cili e fillon mandanti më 1 dhjetor, Andrea Manuel Lopez Obrador, tha se do t’i çonte një letër zotit Trump, ku do t’i propozonte që Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja të bashkëpunojnë për të investuar në zhvillimin e vendeve të varfëra të Amerikës Qendrore.