Turqia kërkon mbylljen e aktiviteteve të FETO-s në Shqipëri e Kosovë

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, kërkoi nga autoritetet në Shqipëri dhe në Kosovë bllokimin e veprimtarisë së strukturave të organizatës FETO, të klerikut Fetullah Gulen, i akuzuar nga Ankaraja si përgjegjës për përpjekjet për grusht shteti dy vjet më parë.

Ai tha të premten në Tiranë se "në Shqipëri ka një strukturë fetoiste tepër serioze të shtrirë në të gjitha fushat. Si dhe në vendet e tjera, tha ai, ata kanë përdorur sistemin arsimor dhe kanë depërtuar në sistemin shtetëror. Turqia –shtoi më tej ministri – pret që të mbyllen institucionet që zhvillojnë veprimtari antiturke në Shqipëri".

Ministri Cavusoglu tha se "organizata FETO është një organizatë terroriste, e cila sipas tij përbën kërcënim dhe për Shqipërinë. Turqia nuk strehon asnjë terrorist që vjen nga Shqipëria. Këtë presim dhe nga miqtë tanë shqiptarë”, deklaroi ministri turk.

Para tij, për këtë çështje ishte shprehur ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati i cili ndërsa kujtoi se Shqipëria ishte ndër vendet e para që u solidarizua me çka ndodhi në Turqi në rrethanat e grushtit të Shtetit, nënvizoi se “nga ana tjetër Shqipëria është anëtar i NATO-s, kandidat për në Bashkimin Evropian, se ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit, dhe se çdo politikë ndiqet në rrugë diplomatike”, u shpreh ministri shqiptar.

Pak muaj më parë, kryeministri Edi Rama ishte shprehur se “elementët që dyshohen për lidhje me organizatën Feto, po mbahen nën mbikëqyrje”.

Në Kosovë, ministri turk tha po ashtu se Kosova nuk duhet të lejojë që organizata Feto të shtrijë veprimtarinë e saj.

"Ne nuk duam Kosova t’i lejojë terroristët, të cilët kanë bërë grusht shteti në Turqi të jetojnë këtu. Ne presim që t’i ekstradojnë ata. Ne ata i konsiderojmë të rrezikshëm për Turqinë dhe sigurinë e Kosovës. Ne nuk do të lejonim që dikush të bënte ndonjë veprimtari të paligjshme për Kosovën e lëre më ndonjë grusht shteti Ne do t'i dorëzonim në Kosovë të gjithë ata që do të provonin diçka të tillë", është shprehur ai.

Më 29 mars, gjashtë shtetas turq, të lidhur me institucionet e klerikut Gulen, u deportuan në një operacion ende të pasqaruar deri në fund, të kryer nga shërbimet e zbulimit të të dyja vendeve.

Kosova është një nga vendet e rajonit që i është nënshtruar trysnisë për arrestimin dhe dorëzimin e "gulenistëve" të kërkuar nga Ankaraja.

Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte para grusht shtetit të korrikut të vitit 2016.

Kleriku Gulen, që jeton në Shtetet e Bashkuara i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.