Vazhdon pastrimi i zonave të goditura nga uragani Michael. Për banorët e bllokuar ende në shtëpitë e tyre, ndihma nuk po vjen aq shpejt sa duhet. Një ekip vullnetarësh, po përpiqen ta ndryshojnë sadopak situatën. Elizabeth Lee e Zërit të Amerikës njofton nga qyteti bregdetar Panama City, në Florida.
Johnny Gonzalez është në mision ...
... të vizitojë shtëpitë e bllokuara nga rrënojat që la pas uragani Michael.
“Kur më duhej ndihmë, erdhën dhe më shpëtuan. Ata sakrifikuan jetën e tyre për mua dhe tani unë do të sakrifikoj timen për bashkëqytetarët e mi” thotë Johnny.
Gonzalez u strehua në një kishë duke pritur që të kalonte uragani.
“Fëmijët e mi janë mirë. Kjo më shqetësonte, por falë Zotit shpëtuam. Nuk e di se si patëm fat. Thoshin se na kishin goditur tornadot. Mbaj mend, dëgjonim një fishkëllimë sikur po vinte një tren dhe erërat e forta përpinë çatinë e kishës ku qëndronim”.
Ai dhe familja e tij u kthyen pastaj në shtëpinë e tyre, por situata nuk ishte mirë. Ai telefonoi shefin e tij Lee Nettles për ndihmë.
“Ne morëm një telefonatë prej tij, vetëm një mesazh ku dëgjuam se kishin ngecur aty pa ujë. Shkuam dhe e gjetëm me gruan dhe dy fëmijët e tij” thotë Lee.
Tani për tani, Gonzalez dhe familja e tij po qëndrojnë me shefin, i cili jeton në një zonë që nuk u godit aq rëndë sa Panama City. Të dy burrat dhe kolegia e tyre, Amanda Miles, vendosën të vazhdonin të ndihmonin të tjerë.
“Pavarësisht sa i fortë mund të jesh, të shohësh këtë lloj shkatërrimi është e rëndë.”
Ata të tre filluan të ofronin ujë...
“... dhe pastaj gjatë rrugës, Amanda sugjeroi të marrim një sharrë dhe thashë po, edhe pse kurrë nuk kam përdorur ndonjëherë deri më sot”.
Disa nga banorët që vendosën të qëndrojnë janë bllokuar për shkak të pemëve të rëna, dhe kjo është një situatë e tmerrshme, sepse nuk ka energji elektrike dhe ujë, dhe disa prej tyre vetëm presin që njerëzit të pastrojnë rrugën që ata të mund të dalin.
Ndërsa Gonzalez pastron rrugën, kolegët e tij...
“Ata shkuan për të gjetur disa njerëz, çifte të moshuar. Dëgjuam se janë dy çifte të moshuar që gjenden të bllokuar”.
Disa banorë po presin për kthimin e energjisë elektrike dhe ujit, por mund të kalojnë javë të tëra, ose muaj, para se të rikthehet qetësia në këtë komunitet.