Në Shqipëri Gjykata e Krujës rikonfirmoi sot “arrestin në burg” për Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja. I riu u arrestua të dielën nën akuzën e përndjekjes ndaj 25 vjeçares Xhesiela Maloku. Kjo e fundit kishte bërë kallzim ndaj tij në muajin korrik, duke e tërhequr më pas. Megjithatë çështja i kaloi prokurorisë. Maloku i ishte drejtuar disa herë policisë, duke akuzuar Rrajën, me të cilin kishte patur një marrëdhënie të gjatë dashurie, për kërcënime dhe dhunë ndaj saj. Në deklarimet e saj ajo ka pranuar se është detyruar të tërhiqet për shkak të frikës që kishte nga hakmarrja e djalit. Episodi që çoi në arrestimin e të riut Rraja, lidhet me dhunën që ai kishte ushtruar ndaj Malokut në një dhomë hoteli.
Your browser doesn’t support HTML5
Vetë vajza habiti mbrëmë opinionin publik kur në dy intervista, në Televizionin “Top Channel” dhe “Tv Klan” mohoi që ndaj saj të ishte ushtruar dhunë, duke deklaruar se ajo e kishte bërë gjithshka nga xhelozia dhe se kallzimi i saj kishte qenë i rremë. Por në të vërtetë, pohimet e saj të djeshme duket se konfirmojnë pikërisht frikën që ajo ka nga i riu, sepse përtej përshkrimeve apo deklaratave, akti i ekspertizës ligjore nuk lë shteg për dyshime. Ky akt tregon se ajo ka patur shenja dhunë në shpatulla dhe djegie me cigare në kofshë. Maloku gjatë intervistave të djeshme, tha se shenjat në trup i përkasin një aksidenti të ndodhur më parë, ndërsa djegiet me cigare, ata i kryenin vetë në trup në moment gjaknxehtësie. Por ekspertiza mjeko-ligjore nuk lë asnjë hapësirë për interpretime të tjera, duke qenë se bëhet fjalë për një akt shkencor, ku nuk mund të gabohet në vlerësimin e një shenje të freskët dhune me atë të disa kohëve më parë.
Eshtë pikërisht ekspertiza mjeko-ligjore ajo që duket se ka mbajtur në pranga Rexhep Rrajën, sikundër dhe një përgjim i kryer më 29 Shtator, gjatë ballafaqimit mes dy të rinjve në Prokurori, ku sërish Rraja ka kërcënuar vajzën.