Përvjetori i tragjedisë së Las Vegasit

  • Carolyn Presutti

Las Vegasi në shtetin e Nevadës, është i njohur në mbarë botën si qendër e bixhozit, për hotelet dhe dyqanet luksoze dhe si vend i zbavitjes. Por një vit më parë, qyteti u bë gjithashtu vendi ku ka ndodhur sulmi më masiv me armë në Shtetet e Bashkuara, i kryer nga një individ i vetëm. 64-vjeçari Stephen Paddock qëlloi me breshëri nga dritarja e një hoteli shumëkatësh, në drejtim të njerëzve të mbledhur në një koncert që po mbahej jashtë. Ai vrau rreth 60 persona dhe pastaj edhe veten, me ardhjen e policisë. Carolyn Presutti e Zërit të Amerikës shkoi në Las Vegas, për të parë ç’ka ndryshuar në këtë qytet që pëlqehet shumë nga turistët nga e gjithë bota:

Është dita e dasmës së Lacey West-it.

"Kjo është dita më e bukur e jetës sime”- thotë ajo.

…dhe është fundjavë, sikurse një vit më parë, në ditën më të keqe të jetës së saj,

Lacey, së bashku me nënën e saj, Elizabeth, ditë vrapuan atë për t’u shpëtuar plumbave gjatë një koncerti të muzikës “country” në Las Vegas. Personi që kreu sulmin, duke qëlluar nga ky kënd, nga kati i lartë i hotelit “Mandalay Bay”, vrau 58 persona dhe plagosi më tepër se 800 të tjerë.

"Nuk e dinim që po qëllohej nga lart dhe se nuk mund të ishim kurrë jashtë rrezikut, edhe pse vraponim.”- kujton Lacey West.

"Mbaj mend që kishim bërë tatu në parakrah dhe vrapuam të lidhura për krahu…”- thotë e jëma.

Por…. tani pas një viti, Lacey dhe Josh po krijojnë kujtimet e tyre të lumtura, në vend të ankthit që përjetuan atë ditë.

"Ajo ditë më ka tronditur shumë, kaluam momente tepër të vështira,”- thtoë Elizabeth.

"Ngaqë përvjetori i martesës sime do bjerë më 1 tetor, kjo ditë do të më kujtojë gjithmonë se si ndryshoi jeta ime nga kjo ngjarje, që më pas do të pasohej me lumturinë timë,”- thotë Lacey.

Lacey dhe Elizabeth kanë ndryshuar, sikurse edhe qyteti.

Për ata që luajnë bixhoz dhe për turistët, Las Vegasi mund të duket njëlloj, por ekspertët e sigurisë thonë se nuk mund t’i dallosh atje masat e larta të sigurisë.

"Tani ka një numër të madh personeli sigurie, jo me uniforma, por me rroba të zakonshme”, – thotë eksperti i sigurisë, David Shepherd.

Së bashku me zotin Shepherd, udhëtuam nëpër qytet, për të parë masat e reja të sigurisë. Para se të hapte firmën e tij, David ishte shef i sigurisë tek në rezorti “Venetian”, hoteli dhe kazinoja e dytë më e madhe e botës.


"E shikon këtë objekt të vogël? Është kamera. I vetmi vend ku nuk ka kamera janë banjot.”

Shepherd thotë se në disa hotele janë vendosur sensorë, që lidhen me sistemin e alarmit, në se dikush thyen një xham, sikurse bëri Paddock kur kreu sulmin.

“Mandalay Bay” ka tani numra të rinj për katet, për të eliminuar katin 32, ku ishte dhoma e Paddock-ut, ku nuk lejohet të qëndrojë më njeri."

Në trotuare janë vendosur pengesa, për të mos i lejuar makinat të hipin mbi to, për të sulmuar turmat e njerëzve.

Pasojat e sulmit i kanë ndjerë edhe restorantet. Ricky dhe Jen Ruff servirin ushqim filipinas, pranë hotelit “Mandalay”.

"Biznesi na ka rënë 20 për qind, ngaqë njerëzit mbajtën zi pas asaj dite,” – thotë pronari i restorantit, Ricky Ruff.

E njëjta gjë i ka ndodhur biznesit të pasurive të patundshme të James Ramosit.

"Kjo ngjarje pati pasoja të mëdha tek turizmi në qytetin tonë. Të paktën në dy muajt e parë pas sulmit, avionët vinin bosh në Las Vegas,”- kujton James Ramos.

Tani bizneset e kanë marrë veten.

58 kryqet i kanë lëvizur në një vend, pranë portreteve të viktimave, të pikturuar secili nga artistë të ndryshëm.

Memorialet janë befasues për nga përmasat, në qytetin që ende përpiqet të shërojë plagët, në kërkim të shpresës…...një vit pas tragjedisë.