Kavanaugh dhe Ford përballë Komisionit Juridik të Senatit

Brett Kavanaugh

Një Komision Juridik i Senatit do të zhvillojë nesër seancën e shumëpritur ku do të dëshmojnë Bret Kavanaugh, i emëruari për në Gjykatën e Lartë dhe Christine Blasey Ford, e cila e akuzon atë për një sulm seksual dekada më parë. Republikanët në Senat punësuan një prokurore të Arizonës për të marrë në pyetje zonjën Ford dhe gjykatësin Brett Kavanaugh, gjatë seancës së nesërme.

Republikanët në Komisionin Juridik, të gjithë burra, punësuan prokuroren Rachel Mitchell nga Arizona për të drejtuar pyetjet. Ata e përshkruajnë atë si "një prokurore karriere me disa dekada përvojë, që ka ndjekur penalisht krimet seksuale".

Kavanaugh ka mohuar ta ketë ngacmuar akuzuesen e tij dekada më parë kur ata ishin në shkollë të mesme. Republikanët thonë se demokratët janë të angazhuar në një fushatë shpifëse për të mos lejuar konformimin e zotit Kavanaugh.

"Demokratët e Senatit dhe aleatët e tyre po përpiqen të shkatërrojnë jetën personale dhe profesionale të një njeriu në bazë të pohimeve të vjetra prej dekadash të cilat janë të pabaza dhe të pakonfirmuara", tha udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell.

"Në se zoti McConnell do të ishte vërtetë i shqetësuar për këto akuza, atëherë ai do të bashkohej në thirrjet tona për një hetim të FBI-së i cili mund të bëhet pa zhurmë, shpejt dhe në mënyrë të efektshme", tha udhëheqësi i pakicës Chuck Schumer.

Presidenti Trump i akuzoi demokratët për taktika mashtruese. Po ashtu ai u shpreh me përçmim për një akuzë tjetër, të bërë nga Deborah Ramirez kundër zotit Kavanaugh, sipas të cilës, ai ka ekspozoi veten ndaj saj, gjatë një festë në kolegj disa dekada më parë.

I pyetur për paraqitjen të enjten të zotit Kavanaugh përpara Komisionit Juridik të Senatit, presidenti Donald Trump tha, "Mendoj se është për të ardhur keq, por ai do të dalë shumë mirë."

Kavanaugh, një gjykatës konservator dhe anëtari i dytë që presidenti Trump emëron për në Gjykatën e Lartë, u propozua për të plotësuar vendin e mbetur bosh nga dalja në pension e anëtarët të kësaj gjykate Anthony Kennedy.

Ligjvënësit mund të kenë vetëm 24 orë për të vlerësuar dëshmitë para se të marrin një vendim. Komisioni pritet të votojë për kandidaturën e zotit Kavanaugh ndoshta qysh të premten.