Rusia do të furnizojë Sirinë me sisteme moderne mbrojtjeje

Rusia njoftoi të hënën se do të furnizojë qeverinë siriane me sistemet moderne të mbrojtjes raketore S-300, pas rrëzimit të një aeroplani rus nga Siria, një incident që rriti tensionet rajonale në vendin e shkatërruar nga lufta.

Aeroplani ushtarak rus u rrëzua nga sistemet e mbrojtjes raketore të qeverisë siriane, duke bërë që të 15 personat në bord të humbnin jetën.

Rusia ia hodhi fajin Izraelit, duke thënë se ishin aeroplanët e tij luftarakë që e kishin ekspozuar avionin rus ndaj zjarrit kundërajror të Sirisë.

Pak para rrëzimit, avionët izraelitë kishin goditur objektiva brenda Sirisë, për të penguar një dërgesë armësh t’i shkonte grupit Hezbollah të mbështetur nga iranianët.

Rusia filloi fushatën e saj në Siri për të mbështetur presidentin Bashar Assad në vitin 2015. Nga ana e tij, Izraeli është i shqetësuar për ndikimin në rritje të Iranit në Siri, sepse e ka sjellë armikun e tij kryesor më afër kufijve të tij.

Rrëzimi i avionit rus javën e kaluar i ka vënë në provë marrëdhëniet e Rusisë me Izraelin.

Zyrtarët rusë thanë se sistemet e vjetëruara S-200 të Sirisë nuk ishin aq të sofistikuara sa të diktonin aeroplanin rus.