Nën sekuestro pasuritë e Habilajve

Në Shqipëri, Prokuroria e Krimeve të Rënda, deklaroi sot se Gjykata ka pranuar kërkesën e saj për vënien në sekuestro 29 pasuri të llojeve të ndryshme, të të ashtuquajturit “Grupi Habilaj”, vëllezërit shqiptarë nga Vlora, të akuzuar se janë përfshrë në trafik të lëndëve narkotike. Në listën e gjatë figurojnë pasuri në emrin e Moisi Habilajt, i konsideruar si kreu i grupit që merrej më dërgimin e sasive të mëdha të marijuanës drejt Italisë, vend ku tetorin e kaluar autoritetet e Catanias goditën grupin shqiptar si pjesë të një organizate kriminale italo-shqiptare.

Mes pasurive të sekuestruara janë dhe atë njerëzve të afërt apo të lidhur me Habilajt. Bëhet fjalë për të paktën 10 apartamente me një vlerës totale prej disa qindra mijëra euro. Mes pasurive të sekuetsruara dhe 3 ndërtesa, një garazh, një truall, katër njësi tregtare, katër pasuri të tjera të patundshme dhe 5 autovetura. Në total sipas Prokurorisë vlera e pasurive nën sekuestro shkon në disa miliona euro.

Dyshimet për lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, me të cilët kishte lidhje farefisnore, vunë nën akuzë vitin e shkuar dhe ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Hetimet ndaj tij nisën pasi autoritetet italiane goditën organizatën në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i ish ministrit përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë.

Në maj të këtij viti, zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas Prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij, por Gjykata vendosi arrestin e shtëpisë, një masë e cila u ndryshua pak javë më pas nga Gjykata e Apelit. Zoti Tahiri ka mohuar akuzat për përfshirjen e tij në trafik narkotikësh apo dhe të ketë patur lidhje me grupin e Habilajve. Hetimet ndaj tij janë ende në vazhdim.