Gjermania mbetet skeptike ndaj idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosvës dhe Serbisë si një zgjidhje që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve: këtë e pohoi sot ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Sipas tij vendet e rajonit i druhen një efekti domino që një zgjidhje e tillë mund të ketë në Ballkan
Kancelarja gjermane Angela Merkel mëse një herë është shprehur se një marrëveshje e mundshme për rishikim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë mund të kishte pasoja në pjesët e tjera të rajonit. Edhe sot në Tiranë ministri i saj i Jashtëm i qëndroi po kësaj ideje ndërsa tha se në biseda të ndryshme të zhvilluara javët e shkuara me përfaqësues të vendeve të Ballkanit “shumë shpesh është thënë që ekziston frika ndaj shkëmbimit të territoreve. Ekziston frika e një efekti domino. Është një frikë që ne e kemi perceptuar dhe kjo do të luajë sigurisht edhe një rol përsa i përket qëndrimit të Qeverisë Federale në këtë drejtim. Prandaj dhe ne, në një farë mënyrë jemi skeptikë dhe të përmbajtur lidhur me këtë pike”, u shpreh ministri Maas.
Your browser doesn’t support HTML5
Sipas shefit të diplomacisë gjermane, zgjidhja e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet “në mënyrë të tillë që të mos shkaktohen probleme të tjera shtesë, përveç atyre që janë. Nëse korrigjimi i kufijve do të jetë pjesë e kësaj zgjidhjeje, përkundrejt saj, Gjermania është skeptike dhe e përmbajtur”, nënvizoi ai.
Lidhur me Shqipërinë ministri gjerman rikonfimroi mbështetjen e vendit të tij në procesin e reformave dhe integrimit europian, ndërsa vlerësoi në mënyrë të veçantë Reformën në Drejtësi. Vendet anëtare të Bashkimit europian kanë përcatuar qershorin e ardhshëm si një datë të mundshme për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, por kjo nuk duhet marrë ai një vendim që yyn në fuqi automatikisht, theksoi zoti Maas, duke theksuar se “kriteret për këtë janë të hapura, të ditura dhe të qarta, pra, duhet të ekzistojnë hapa për rezultate të tjera përsa i përket reformave në mënyrë të tillë që të mund të bindim edhe të gjithë ata që janë disi skeptikë për sa i përket këtij procesi. Bëhet fjalë më së shumti për konsolidimin e shtetit ligjor apo pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, shpjegoi kryediplomati gjerman.
Për ministrin e Jashtëm shqiptar raporti I partneritetit me GJermaninë është i pazëvendësueshëm, ndërkohë që kryeministri Edi Rama kërkoi mbëhstetjen e Berlinit për kandidaturën e Shqipërisë për të marrë presidencën e OSBE-së për vitin 2020.