Maqedoni: Mitchel, thirrje votuesve të dalin në referendum

  • Isak Ramadani

Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mithchell gjatë qëndrimit të tij në Shup u bëri thirrje votuesve në Maqedoni që të dalin në referendum, për siç tha, që të dëgjohet zëri i tyre për të ardhmen e vendit të tyre. Ndërkohë, Kryeministri Zoran Zaev shprehu mirënjohe të thella për mbështetjen e vazhdueshme amerikane. Ata të dy inkurajuan të gjithë drejtuesit politikë, sidomos opozitën, që të marrë një qëndrim të qartë lidhur me referendumin e tridhjetë shtatorit.

Your browser doesn’t support HTML5

Zv.Sekretari amerikan i Shtetit viziton Shkupin

Zoti Mitchell shprehu mirënjohje për kryeminstrin Zaev dhe ekipin e tij për përpjekjet e mëdha, siç tha, për arritjen e marrëveshjes së Prespës me Greqinë që kërkonte, sipas tij, sakrifica nga të dyja palët

“Mesazhi im”, - tha zoti Mitchell, - “për secilin shtetas që takova, sot ishte i njejtë: se ky është një vendim të cilin vetëm maqedonasit mund ta marrin. Maqedonia ka qenë në rrugën drejt perëndimit për një kohë të gjatë dhe ne i inkurajojmë të gjithë maqedonasit të ushtrojnë lirinë e tyre themelore, por dhe përgjegjësinë gjatë referendumit, që të dalin dhe të votojnë. Mendoj se kjo është mundësi historike dhe një shteg drejt NATO-s dhe BE-së; Është në interes të Maqedonisë që qytetarëve të saj t’u dëgjohet zëri dhe nuk mendoj se është një moment historik në të cilin nuk do të donit që zëri juaj të dëgjohet. Është me rëndësi të ngrini zërin, të bëni të qartë mendimin tuaj. SHBA-të e mbështesin Maqedoninë në këtë proces dhe besoj se është në interes të vetë Maqedonisë, të Evropës e po ashtu edhe në interës të Amerikës që të shohim Gadishullin Ballkanik të qëndrueshëm, të sigurt dhe në mirëqenie”, - tha ai.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev e shikon vizitën e Ndihmës-Sekretarit Mitchell si një inkurajim të fuqishëm për Maqedoninë dhe për qytetarët e saj; “për hapin e ardhshëm historik, e ky është referendumi i suksesshëm” – u shpreh ai.

“E dimë se në rrugën tonë nuk jemi të vetëm. U shpreh falënderim të madh aleatëve tanë dhe partnerë strategjik – Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetja nga Amerika është frymëzim dhe shenjë se jemi në rrugën e drejtë. U bëj thirrje drejtuesve politikë që të dalin dhe t’i ftojnë qytetarët për të votuar në referendum. Kjo është në të mirë të shtetit dhe të gjithë qytetarëve. Edhe një herë i bëj thirrje opozitës që të përcaktohet qartazi; ardhmëria e vendit tonë i fton të gjithë!”- tha kryeministri maqedonas, Zaev, ndërsa shtoi se “papërgjegjësia dhe mosnjohja e shansit historik nuk janë veprime patriotike”.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit pati takime edhe me drejtues të tjerë politikë, me ligjvënës dhe me kryetarin e parlamentit, me komunitetin e biznesit dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Vizita e tij i paraprin asaj të Sekretarit të Mbrojtes, James Mattis te planifikuar për të dielën në Shkup.