Kosovë: Parlamenti dështon të mblidhet sërish për bisedimet me Serbinë

Your browser doesn’t support HTML5

Parlamenti i Kosovës nuk arriti as të mërkurën të vazhdojë punimet e seancës së jashtëzakonshme e cila filloi dje me kërkesë të qeverisë për të miratuar përbërjen e ekipit të saj negociues në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Seanca e caktuar për orën 14:00 u shty për në 16:00 por dështoi sërish për shkak të mungesës së deputetëve.

Kjo seancë duhej t'i paraprinte mbledhjes tjetër, po ashtu të jashtëzakonshme, të kërkuar nga partitë opozitare lidhur me, siç thuhet, angazhimet e presidentit të Kosovës për “shkëmbimin e territoreve” apo “korrigjimin e kufijve” në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Opozita, e cila ka bojkotuar seancën e kërkuar nga qeveria, thotë se shtyrja e saj po bëhet me qëllim që të pamundësohet edhe mbajtja e seancës së kërkuar nga partitë opozitare.

Kryetari i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se mos thirrja e seancës së propozuar nga opozita është antikushtetuese.

“Ne jemi në pritje të gjithë deputetët e opozitës, më shumë se 24 orë prej se kemi kërkuar që të mbahet seanca e jashtëzakonshme, nuk është diskrecion i askujt të shtyhet kjo seancë, është obligim kushtetues dhe sipas rregullores së parlamentit duhet të mbahet seanca në kohën kur është kërkuar nga së paku 40 deputetë. Kjo formë se si po sillet kryetari i parlamentit dhe ky koalicion qeverisës është praktikisht kapje e institucioneve, kapje e parlamentit duke mos lejuar fjalën e opozitës në parlamentin e Kosovës”, tha zoti Hoti.

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, kërkoi që sa më parë të thirret seanca e propozuar nga partitë opozitare.

“Pra dyzet orë nuk i kanë mjaftuar pushtetit që ta përfundojë një seancë. Këtu nuk është qëllimi fare që të përfundohet, por që të zgjatet deri me 7 shtator. Kështu që ne i bëjmë thirrje kryetarit të parlamentit me urgjencë që të thrrasë seancën të cilën ai e ka obligim. Kjo nuk është le të themi e thirrur vetëm nga një numër simbolik i deputetëve, kjo është kategori kushtetuese", tha zoti Konjufca.

Kryeministri Haradinaj kritikoi dje bojkotimin e seancës nga ana e partive opozitare, duke thënë se ata duhet të marrin pjesë, qoftë edhe vetëm për t’i treguar mospajtimet e tyre.

Qeveria ka propozuar ekip negociues që sipas saj duhet të drejtohet nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Pjesë e ekipit do të jenë edhe Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi dhe Mahir Yagcillar, e vendet e tyre në këtë ekip i kanë edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile.

Seancat e jashtëzakonshme në parlament u kërkuan pak ditë para takimit të radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilët kanë kërkuar mbështetje për një marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që do të mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.