Ky raport është përditësuar për të pasqyruar sqarimin e sotëm, 5 shtator, të Unionit të Gazetarëve.
“Saktësim për disa media, që fallsifikojnë dhe keqservirin disa të dhëna të publikuara në intervistën e kryetarit të UGSH-së, gazetarit Aleksander Çipa . Në intervistën për “Zërin e Amerikës”, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, deklaron me zërin e tij për 12 kërkesa për azil në shtete të ndryshmë të BE dhe për 34 gazetarë dhe punonjës mediash që emigrojnë dhe janë në procedurat për marrje shtetësie tjetër. Nuk e kuptojmë se kush e ndryshon shifrën dhe e keqinterpreton atë?!!! UGSH është organizata që ka përgjegjësinë për çdo të dhënë që publikon dhe mban të dhëna periodike për situatën dhe gjendjen e komunitetit të gazetarëve në vend. Keqinterpretimet dhe ndryshimi i statistikave që nuk përkojnë me ato zyrtaret dhe aq më tepër me të dhëna të publikuara me zërin e përfaqësuesve të organizatës sonë, janë në mos dashakeqësi, interpretime per interesa politike apo qëllime të tjera, që s’kanë të bëjnë aspak me UGSH. Organizata jonë vazhdon të mbetet një strukturë aktive dhe me kurajo të përhershme për mbrojtjen e anëtarëve të saj dhe të komunitetit të gazetarëve në përgjithësi”, deklaroi sot UGSH.
...
Drejtuesi i Unioni të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa thotë se në periudhën 2017-18 janë shtuar më tej gazetarët e kërcënuar në detyrë, që kërkuan azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, dhe shumë të tjerë kërkuar shtetësi në vende të tjera.
“12 gazetarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, ndërsa 34 të tjerë kanë kërkuar shtetësi në vende të tjera. Pothuajse të gjithë këta kanë plotësuar dosjet me prova dhe dokumenta për kërcënime në detyrë dhe po përgatiten të largohen” - tha zoti Çipa.
Your browser doesn’t support HTML5
Vetëm dy ditë pas sulmit me armë zjarri ndaj gazetares së njohur të kronikës së krimit, Klodiana Lala, një tjetër reporter vendor u kërcënua në Lac, ngjarje për të cilat shprehu shqetësimin e tij edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Ruajtjen e të Dhënave Personale Besnik Dervishi.
“Solidarizohem me të dy gazetarët e kërcënuar së fundi dhe me të gjithë gazetarët që dhunohen apo kërcënohen për shkak të detyrës dhe misionit të tyre. Sidomos zonjën Lala kam patur rastin ta njoh dhe vlerësoj kurajon e saj në punën e vështirë të gazetares. Të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që këto ngjarje të shmangen e të mos ndodhin” - tha zoti Dervishi.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë protestoi disa herë për breshërinë e plumbave të hedhura mbi banesën e familjes së gazetares Klodiana Lala.
Zoti Çipa thotë se edhe kjo ngjarje e rëndë për jetën e gazetares dhe familjes së saj rrezikon të mbetet pa zbardhur ashtu si shumë kërcënime të kolegëve të tjerë.
Persona të panjohur sulmuan me armë zjarri në breshëri banesën e prindërve të gazetares së televizionit “News 24”, Klodiana Lala më 30 gusht në periferi të kryeqytetit. Gazetarja Lala tha se dyshonte se sulmi lidhej me punën si gazetare.
Klodiana Lala është një ndër gazetaret më të njohura me përvojë shumëvjecare në mbulimin e kronikës së krimit.
Për sulmin me armë ndaj banesës së prindërve, ku gjendeshin vëllai dhe fëmijët e saj, reaguan me forcë autoritetet politike e shtetërore të vendit si dhe shoqatat e gazetarëve.
Pas kësaj shumë gazetarë shkruan në rrjetet sociale se edhe atyre u kanë ndodhur shumë kërcënime për shkak të detyrës, ndaj edhe jo pak prej tyre po largohen nga vendi.