Argumentet mbyllëse në gjyqin ndaj Paul Manafortit

Në një gjykatë të qytetit të Aleksandrias në Virxhinia, të mërkurën po zhvillohet gjyqi ndaj ish menaxherit të fushatës presidenciale të Presidentit Trump, Paul Manafort.

Një prokuror amerikan tha të mërkurën se jeta e zotit Manafort, ishte “e mbushur me gënjeshtra”, ndërsa ai kishte patur një mënyrë jetese luksoze.

“Zoti Manafort gënjente që t’i ruante paratë që kishte dhe ai gënjente për të siguruar më tepër para” - i tha trupit të 12 gjykatësve prokurori Greg Andres, në fillim të argumenteve përmbyllëse për çështjen e evazionit fiskal dhe mashtrimet financiare të zotit Manafort.

Po të mërkurën priten argumentet mbyllëse të palëve në gjyqin ndaj ish-kreut të fushatës presidenciale të Donald Trumpit, Paul Manafort. Ai përballet me 18 akuza.

Pritet që njëri prej avokatëve të zotit Manafort, të thotë se qeveria nuk ka prova të mjaftueshme për akuzat ndaj klientit të tij dhe se ai duhet të shpallet i pafajshëm.

Paul Manaforti nuk dëshmoi në proces dhe avokatët e tij nuk thirrën ndonjë dëshmitar gjatë paraqitjes së argumentave mbrojtëse. Nëse shpallet fajtor, zoti Manaforti mund të përballet me një dënim që parashikon një kohë të gjatë burgimi. Muajin e ardhshëm ai pritet gjithashtu të dalë përpara gjykatës për akuza të tjera të lidhura me këtë çështje.

Rasti ka shfaqur interes të veçantë në Shtetet e Bashkuara pasi është gjyqi i parë i prokurorëve të posaçëm në hetimin e tyre të zgjeruar lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Ata po hetojnë nëse punonjës të fushatës elektorale të zotit Trump kanë bashkëpunuar me Rusinë për ta ndihmuar atë të fitojë zgjedhjet dhe nëse zoti Trump, pas marrjes së detyrës si president, ka penguar drejtësinë duke u përpjekur të pengojë hetimet.