Një delegacion turk drejt Uashingtonit për të zbutur tensionet

Një delegacion diplomatik turk do të vizitojë Uashingtonin të enjten për të zbutur tensionet. Njoftimi për vizitën bëri që të frenohej rënia e shpejtë e vlerës së monedhës turke. Analistët paralajmërojnë se rritja e tensioneve të SHBA-Turqi kërcënon të shkaktojnë një krizë financiare në Turqi.

Të hënën, lira turke pësoi rënien më të madhe në një dekadë. Kjo erdhi pas njoftimeve se administrata e Presidentit Trump po shikon mundësinë që t’i japë përjashtimin nga taksat të Turqisë në tregun e SHBA.

Lira e rimori paksa veten pas lajmeve të vizitës diplomatike. Por monedha filloi të bjerë përsëri të martën pas njoftimeve që mohonin lajmet e mëparshme se midis Ankarasë dhe Uashingtonit ishte arritur një marrëveshje paraprake.

Zëvendës ministri i jashtëm turk, Sedat Onal thuhet se do të drejtojë delegacionin, sipas një burimi të ministrisë së jashtme. Njoftimet e mëparshme thoshin se një delegacion shumë më i fuqishëm do të dërgohej në Uashington, duke përfshirë ministra të jashtëm, të brendshëm, të mbrojtjes dhe të financave.

Në krye të rendit të ditës pritet të jenë diskutimet për ndalimin e pastorit amerikan, Andrew Brunson. Brunson është aktualisht nën arrest shtëpie, ndërsa po gjykohet nën akuzat për terrorizëm. Shtëpia e Bardhë i hedh poshtë akuzat si të pabaza, duke e akuzuar Ankaranë për pengmarrje.

Tensionet mes SHBA-së dhe Turqisë u përshkallëzuan javën e kaluar, kur Presidenti i SHBA Donald Trump vuri në shënjestër dy ministra turq me sanksione për arrestimin e pastorit Brunson. Ankaraja u përgjigj me masa reciproke.