Presidenti Trump dhe mesazhet kërcënuese ndaj Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se nuk është “aspak” i shqetësuar se mesazhi i tij i së dielës me kërcënime për Iranin do të provokojë qeverinë iraniane.

Presidenti iu përgjigj një gazetari në Shtëpinë e Bardhë kur u pyet për mesazhin e tij në Twitter i shkruar i gjithi me gërma të mëdha, ku ai paralajmëronte ashpër presidentin iranian, Hassan Rouhani që të “mos kërcënonte kurrë Shtetet e Bashkuara” ose përndryshe Republika Islamike do të vuante pasoja historike.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton tha se kishte folur me zotin Trump “gjatë ditëve të fundit” dhe presidenti “i kishte thënë se nëse Irani bën diçka të keqe, do të paguajë një çmim që nuk e ka paguar kurrë ndonjëherë më parë”.

"Ai po përpiqet të largojë vëmendjen nga shumë lajme të këqija që e rrethojnë. Ishte disi e ekzagjeruar, por nuk më habiti”, tha Barbara Slavin, drejtore e nismës “E ardhmja e Iranit” në Këshillin e Atlantikut.

Irani e shpërfilli mesazhin e zotit Trump. Ministri i Jashtëm, në një postim të vetin po në Tiwtter, shkruante "Nuk na bën përshtypje”.

Zoti Trump duket se iu përgjigj zotit Rouhani, i ciloi e paralajmëronte “të mos luante me bishtin e luanit se do të pendohej”.

Si presidenti Trump ashtu dhe presidenti Rouhani duket se përballen me presion nga brenda lidhur me politikat e tyre të jashtme. Zoti Rouhani përballet edhe me pakënaqësi të brendshme ekonomike.

Disa analistë po shtrojnë pyetjen nëse dy presidentët po angazhohen në retorikë të ashpër thjesht për të siguruar mbështetje të brendshme, apo nëse zoti Trump po përdor modelin që vuri në zbatim me Korenë e Veriut, duke intensifikuar tensionet me retorikë të ashpër që pastaj justifikon uljen në tryezën e negociatave.

Megjithatë disa shqetësohen se zoti Trump mund të ketë ndërmend të eliminojë me forcë kërcënimin nga Irani.