Sot është dita e 37 e protestës, që po zhvillojnë një grup artistësh dhe qytetarësh në mbrojtje të Teatrit Kombëtar kundër planeve për ta shembur atë, në këmbim të disa kullave biznesi në qendër të kryeqytetit.
Protestuesit mblidhen çdo ditë në sheshin para Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental, ftojnë qytetarët të nënshkruajnë një peticion për mbrojtjen e paprekur të kompleksit artistik.
Your browser doesn’t support HTML5
Deri tani janë mbledhur mbi 6 mijë nënshkrime në peticionin, që kërkon mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
Protestës iu bashkuan artistë të shquar shqiptarë, shkrimtarë, regjisorë, piktorë dhe historianë, filozofë e arkitektë, juristë, pedagogë e gazetarë, duke u shprehur kundër planeve për rrëzimin e Teatrit Kombëar në këmbim të disa kullave biznesi.
“Një vit më parë socialistët nuk votuan një qeveri që donte të rrëzonte Teatrin Kombëtar dhe ky njoftim nuk ishte në asnjë fletë programi elektoral. Ndaj socialistët duhet t’i dalin për zot Teatrit, sepse qeveria po bën një gjë që nuk e ka premtuar as e ka njoftuar. Ky është një spekullim i rëndë me një institucion të rëndësishëm kombëtar” - tha shkrimtari Rudi Erebara, një nga nismëtarët e protestës.
Paradoksi, sipas tyre, qëndron në faktin se qeveria synon ta shembë Teatrin Kombëtar si një ndërtesë e vjetër, kur pikërisht tek mosha e ndërtesës qëndron vlera më e lartë e saj.
Zyrtarët pohojnë se ndërtesa është jashtë kushteve teknike për veprimtari normale artistike, por mesqë shteti nuk ka fonde, një firmë ndërtuese premtoi të ngrejë një teatër të ri, në këmbim të hapësirave publike përreth, ku do të ndërtohen 6 kulla biznesi.
Opozita braktisi sot parlamentin, duke kërkuar tërheqjen e ligjit për shembjen e teatrit dhe negociimet për një teatër të ri, për shkak të manipulimet me votimin e tij, ndërsa një deputet denoncoi se ishte jashtë vendit dhe vota e tij u vodh, duke u shënuar sikur ishte I pranishëm dhe gjoja sikur votoi.
Deputetët e opozitës zhvilluan në komisionin parlamentar të medias disa diskutime të ashpra me zyrtarë të institucioneve të ndryshme, më i fundit mes të cilëve, me përfaqësuesin e hipotekave.
Opozita tha se firma që kërkon të ndërtojë kulla në zonën e Teatrit zotëron vetëm 200 metra, ndërsa Teatri, shteti dhe privatë të tjerë aty zotërojnë mbi 8 mijë metra katrorë hapësirë.
Protestuesit zhvilluan edhe një marshim në shëtitoten Dëshmrët e Kombit në Mbrojtje të Teatrit Kombëtar.
Ata protestuan para selisë së kryeministrisë, ku u përgatit ligji për rrëzimin e Teatrit Kombëtar ekzistues dhe më tej ndaluan para presidencës, ku i kërkuan presidentit të mos dekretojë ligjin për rrëzimin e Teatrit si një ligj antikushtetues, që shkel disa nene të Kushtetutës.
Teatri Kombëtar u ndërtua në fund të viteve 30 të shekullit të kaluar dhe vlerësohet si qendra më e rëndësishme historike kulturore e Shqipërisë.