Zyrtari i DASH Peter Marocco viziton Shkupin

  • Isak Ramadani

Zëvendës Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit dhe zyrtar i lartë i Byrosë per Operacionet e Konflikteve dhe Stabilizimit, Pete Marocco vizitoi të martën Maqedoninë, ku është pritur nga zyrtarë të lartë shtetërorë.

Autoritetet maqedonase e kanë informuar zotin Marocco me gjendjen aktuale dhe proceset e integrimeve euro-atlantike.

Me zëvendës-kryeministrin Hazbi Lika, i ngarkuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, zyrtari amerikan ka diskutuar për identifikimin dhe mënjanimin e faktorëve destruktivë në procesin e përforcimit të shoqërisë shumetnike.

Bashkërenduesi i Komitetit maqedonas për pengimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftë kundër terrorizmit, Borçe Petrevski dhe zëvendësit e tij Xheladin Ajvazi dhe Zllatko Apostolloski e kanë njoftuar zyrtarin e Departamentit te Shtetit me përpjekjet dhe nismat për pengimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Zyrtarët maqedonas kanë theksuar në këtë kuadër rëndësinë e dialogut ndërfetar.

Zoti Marocco ka përëshëndetur arritjen e marrëveshjes me Greqinë si rezultat i bisedimeve të mundimshme dhe ecurinë e proceseve të integrimt euro-atlantik të Maqedonisë.

Autoritetet maqedonase kanë theksuar se janë të përkushtuara për çrrënjosjen e aktiviteteve të dhunshme dhe kërcënimeve përmes veprimeve të bashkërenduara dhe strategjisë së përbashkët me partnerët e Republikës së Maqedonisë, siç janë SHBA, BE por dhe vendet fqinje në rajon.

Pete Marocco zhvilloi një takim edhe me anëtarët e komisionit parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie midis komuniteteve etnike.