Britania fajëson Rusinë për helmimet me Noviçok

Ministri britanik i Mbrojtjes po fajëson Rusinë për vdekjen e një gruaje të helmuar nga i njëjti agjent nervor i përdorur kundër një ish-spiuni rus dhe vajzës së tij në mars. Dawn Sturgess vdiq të dielën në një spital në Salisbury të Anglisë jugore.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson i tha parlamentit të hënën se Rusia është fajtore për vdekjen e britanikes Dawn Sturgess.

"Realiteti është se Rusia ka kryer një sulm në tokën britanike, që ka shkaktuar vdekjen e një shtetaseje britanike. Unë mendoj se bota do të bashkohet me ne në dënimin e këtij incidenti."

Rusia thotë se do të ishte "absurde" që Moska të lidhej me vdekjen e gruas britanike.

Policia britanike ka hapur një hetim për vrasje pasi Dawn Sturgess vdiq të dielën në një spital në Salisbury të Anglisë jugore.

Ajo u sëmur më 30 qershor së bashku me një viktimë tjetër, Charles Rowley, i cili është shtruar në spital në gjendje kritike.

"Reagimi i tyre ishte i tillë që rezultoi në vdekjen e zonjës Dawn dhe sëmurjen e rëndë të Charlie-it. Kjo do të thotë se ata ishin ekspozuar ndaj një doze të lartë dhe ne mendojmë se ata duhet të kenë trajtuar një konteiner që tani ne po përpiqemi ta gjejmë", thotë​ Neil Basu, ndihmës komisioner i policisë.

Policia tha se dy britanikët ishin helmuar me noviçok, substanca e njejtë që helmoi ish-spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij Julia në Salisbury në mars. Të dy i mbijetuan sulmit.

Britania gjithashtu ka fajësuar Rusinë për helmimin e Skripalëve. Rusia e ka mohuar akuzën.

Zyrtarët thanë se është ende shumë herët për të pohuar nëse rastet e helmimit janë të lidhura.