Shoqatat rinore kërkojnë pjesëmarrje në hartimin e ligjit për të rinjtë

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë u kërkoi autoriteteve në Tiranë një proces gjithëpërfshirës në hartimin e një projekt-ligji për rininë.

Shqipëria është vendi i fundit në rajon, që ende nuk ka një ligj të tillë.

Studentë e përfaqësues të 50 organizatave rinore dhe përfaqësues të ministrisë së arsimit ranë dakord në një takim konsultues për të bashkëpunuar ngushtë gjatë përgatitjes së projekt-ligjit.

Takimi u krye pas këmbënguljes së Rrjetit për të Rinjtë dhe përfaqësuesit e organizatave ngritën shqetësimet kryesore të të rinjve si punësimi, arsimi, shërbimet shëndetësore, mbështetja në aktivizëm social.

Të rinjtë diskutuan lidhur me politikat rinore, shërbimet si dhe mekanizmat që do ta bënin të suksesshëm zbatimin e Ligjit për të Rinjtë.

Drejtuesja e Rrjetit për të Rinjtë, Ervjola Osmanaj, thotë se “qëllimi i Rrjetit është që procesi i hartimit të projekt-ligjit të udhëhiqet nga të rinjtë, të hartohet me ta dhe për ta”.

Rrjeti solli për herë të parë një paketë me të gjitha kërkesat e të rinjve, që pritet të shërbejë si bazë për projekt-ligjin.

Paketa e kërkesave u përgatit pas një seri takimesh të Rrjetit me deputetë, përfaqësues të ministrisë së arsimit, të shoqërisë civile, forumet politike rinore etj., ku hartimi i këtij projekt-ligji u vlerësua si një nevojë urgjente në përmirësimin e politikave rinore dhe krijimin e një mekanizmi institucional të mbështetjen e tyre.

Ministria e Arsimit e ngriti grupin e saj të punës për përgatitjen e projekt-ligjit, bashkë me premtimin se të rinjtë do të jenë pjesë e procesit, që pritet të mbyllet brenda muajit korrik, e kur projekti iu dërgohet institucioneve ligjvënëse.