Rivlerësimi, kalon gjyqtarja e Kurbinit

Në Shqipëri, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vlerësoi sot pozitivisht gjyqtaren e Gjykatës së Kurbinit, Marçela Shehu, e cila është një nga kandidatet për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke e konfirmuar atë në detyrë. Gjyqtarja Shehu, kaloi pa problem si verifikimin e pasurisë, ashtu dhe vlerësimin për përgatitjen profesionale dhe integritetin moral. Pasuria e zonjës Shehu ka rezultuar një shtëpi banimi 100 m2, një makinë, para cash dhe depozitë kursimi për fëmijët.

Gjyqtarja e Kurbinit është e katërta anëtarë e sistemit të Drejtësisë e cila kalon procesin e verifikimit dhe rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ndërkohë që 5 të tjerë, mes të cilëve tre gjykatës të Kushtetueses, nuk kanë mundur të rikonfirmohen në detyrë. Procesi i rivlerësimit po ecën me ngadalësi, duke vonuar në këtë mënyrë dhe ngritjen e institucioneve të reja të parashikuara nga Reforma në Drejtësi. Ndërsa për shkak të rrëzimit të tre anëtarëve të saj, Gjykata Kushtetuese është praktikisht e bllokuar dhe nuk funksionon.