Tiranë: Sfidat e fëmijëve me aftësi të kufizuara

Një në 10 fëmijë në Shqipëri ka një aftësi të kufizuar, por pjesa dërrmuese e tyre jetojnë në familje të varfra.

Tre organizata joqeveritare të njohura publikuan sot një studim, ku del në dritë fakti se shumica e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk marrin shërbime shëndetësore dhe arsimore nga qeveria, ndërsa familjet e tyre kanë të ardhura të pakta.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, sfidat e fëmijëve me aftësi të kufizuara

Sipas studimit, 66% e fëmijëve me aftësi të kufizuara jetojnë në familje të varfra dhe nuk marrin shërbimet nga arsimi, shëndetësia, shërbimet sociale.

Studimi i organizatave Save the Children, World Vision dhe Fondacioni për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara zbuloi se shumica dërrmuese e prindërve me fëmijëve me aftësi të kufizuara, nuk mund të përballojnë shpenzimet e shërbimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u duhen fëmijëve.

Këto shërbime mungojnë në zonat e tyre të banimit dhe në afro 60% të fëmijëve diagnostikimi u bë nga mjeku i familjes dhe jo nga specialistët, ndërsa familjet e tyre kanë të ardhura të pakta.

Nga ana tjetër, 25 % e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk shkojnë në shkollë.

Në fakt, vetëm 8 për qind e fëmijëve marrin shërbime të specializuara.

Të dhënat zyrtare tregojnë mungesë të theksuar të shërbimeve sociale, shëndetësore për fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe mungesa në ofrimin e shërbimeve mbështetëse për të siguruar gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla të zakonshme.

Studimi theksoi se qeveria duhet të shtojë nëpër bashki specialistët për shërbime në arsim e shëndetësi, si dhe infrastrukturën e duhur në shkolla dhe qendra ditore komunitare.