Në Shqipëri opozita kërkoi sot dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ndaj të cilit prej disa ditësh ajo ka lëshuar akuza të ndryshme, lidhur me të vëllanë e tij. Zoti Basha tha se as policia dhe as prokuroria nuk mund të hetojnë lidhur me akuzat, përsa kohë ai, sipas tij, do të vijojë të mbajë postin drejtues
Kërkesa e zotit Basha erdhi pas një takimi që ai pati sot me drejtuesit e partive opozitare në selinë e Partisë Demokratike, ndërkohë që deputetët e tij të rikthyer në Komisionet parlamentare, ngritën të njejtën çështje.
Your browser doesn’t support HTML5
Në deklaratën e tij zoti Basha përsëriti dhe një herë akuzat e shumta që gjatë gjithë këtyre ditëve partia e ti ka bërë ndaj ministrit të Brendshëm, që nga fakti se sipas tij vëllai i zotit Xhafa ndonëse i dënuar në Italia nuk ka bërë asnjë ditë dënim, te mbrojtja që sipas opozitës ministri i ka bërë atij në shkelje të ligjit, tha zoti Basha, apo dhe akuza se në cilësinë e kryetart të Komisionit të Ligjeve ka ndërhyrë për të ndryshuar nenin për ekstradimet, gjë të cilën socialistët nga ana e tyre e kanë hedhur poshtë kategorikisht.
Dje demokratët publikuan rregjistrimin audio të një bisede që sipas tyre është zhvilluar mes vëllait të ministrit dhe një ish të dënuari për trafik droge, e që sipas Partisë demokratike tregon se ai vazhdon të jetë i përfshirë në aktivitete të paligjshme. Por në mbrëmje, vëllai i ministrit bëri kallzim penal ndaj përfaqësuesve demokratë, pasi sipas tij bëhet fjalë për një material të rremë, të konsumuar nëpërmjet sajesës dhe manipulimit të provave”. Prokuroria kërkoi sot nga Partia demokratike që të marrë regjistrimin audio të publikuar prej saj.
Kryetari demokrat Basha tha se ministri duhet të hetohet për të gjitha faktet që janë bërë publike nga Partia demokratike, "por as Ministria e Brendshme, as Policia, as Prokuroria e kapur nga dyshja Rama-Xhafa nuk vepron dhe nuk do të veprojë sa kohë Fatmir Xhafaj është ministër i Brendshëm, eprori politik i Policisë që kryen verifikimet dhe hetimet dhe padroni politik i Arta Markut dhe Donika Prelës. Prandaj Fatmir Xhafaj duhet të largohet menjëherë nga Ministër i Brendshëm”.
Nesër demokratët kanë vendosur që të zhvillojnë një protestë përpara ministrisë së Brendshme, ndërsa të enjten në parlament, të mos lejojnë diskutimin e asnjë çështjeje tjetër.