Lezhë, sekuestrohen dy mina me telekomandë

  • Pëllumb Sulo

Policia e Lezhës sekuestroi sot 2 mina me telekomandë gjatë operacionit të koduar policor ”Skuter”.

Një grup i forcave të policisë ndaloi në afërsi të Mbikalimit të Patokut, rreth 10 kilometër nga qyteti i Lezhës, 36 vjeçarin Fatjon Llanaj, banues në Tiranë, i cili po udhëtonte në drejtim të Lezhës me një motor tip “Piaggo”, pa targa. Gjatë kontrollit atij ju gjetën të fshehura dhe ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy mina me telekomandë.

Në një njoftim të saj, policia e Lezhës bëri të ditur se arrestimi i 36 vjeçarit u bë bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se ai po transportonte materiale të rrezikshme shpërthyese të tipit mina me telekomandë.

Nuk është e qartë nëse dy minat me telekomandë do të përdoreshin për ndonjë vepër kriminale nga vetë 36 vjeçari i arrestuar, apo ato ishin porositur nga përsona të tjerë.

Shumë ngjarje kriminale të ndodhura vitet e fundit në Shqipëri janë kryer me mina me telekomandë, të cilat futen ilegelisht në territorin e Shqipërisë përmes Malit të Zi, ose prodhuhen në mënyre artizanale brenda vendit.

Në fillim të janarit, nga shpërthimi i një mine me telekomandë në afërsi të tregut të Rusit, në qytetin e Shkodrës, mbetën të plagosur 7 përsona, mes të cilëve edhe një biznesmen i qyteti, i cili ishte edhe shenjestra e atentatit.