Artistja Alketa Xhafa Mripa shfaqi mbrëmë në Tiranë dhe 6 qytete instalacionin e saj me afro 100 thënie nga rrëfimet e të dënuarve politikë të regjimit komunist.
Vepra quhet “Edhe Muret Kanë Veshë” dhe u shfaq në sheshin “Nënë Tereza” mbi muret e Universitetit të Tiranës për 12 orë nga mbrëmja në mëngjes.
Në tubim morën pjesë të reja e të rinj, studentë, të dënuar politikë të diktaturës komuniste dhe familjarë të tyre.
Your browser doesn’t support HTML5
“Për këtë vepër kemi takuar dhe biseduar me mbi 60 persona të dënuar politikë dhe të përndjekur politikë. Tekstet janë rrëfimet e tyre të sinqerta. Unë jam shqiptare e Kosovës, edhe atje muret kanë pasë veshë, por atje krimet i kryen armiqtë serbë, ndërsa këtu në Shqipëri është e pabesueshme se çfarë krimesh kanë kryer komunistët shqiptarë mbi shqiptarët e thjeshtë. Shumë nga të dënuarit që takuam po presin vetëm një kërkim falje e ndjese nga persekutorët. Shqiptarët e kanë në fisnikërinë e tyre historike edhe kërkimin e faljes edhe me falë, dhe ndjesa duhet të kryhet, edhe pse me kaq vonesë” - tha artistja Alketa Xhafa Mripa.
Projekti artistik është pjesë e fushatës “Të përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, e cila u përkrah nga qeveria italiane, UNDP (Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara) dhe nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit.
Instalacioni bazohet mbi thënie dhe dëshmi të mbijetuarve përndjekja e diktaturës komuniste dhe u shfaq njëkohësisht mbi fasadat e ndërtesave mbizotëruese në qendrat e qyteteve Tiranë, Korçë, Shkodër, Berat, Gjirokastër dhe Tepelenë.
“Historia është shkruar keq dhe shumë fakte e dokumenta janë fshehur dhe zhdukur, por ne po përpiqemi të hedhim dritë mbi përmasat e vërteta të kësaj fatkeqësie që vuajtën njerëzit. Qytetarët ende janë të ndarë e të përçarë mbi temat e regjimit komunist, sepse nuk njohin plotësisht të vërtetat. Sa më shumë ato të zbulohen e të dalin në dritë aq më shpejt skajet e shoqërisë do të bashkohen mbi parime humane” - tha Genta Mara Sula, drejtuese e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e Sigurimit të Shtetit.
Instalacioni tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të Tiranës, diplomatë e studiues, media vendore dhe kalimtarë të thjeshtë.
Ata ndoqën në heshtje materialin filmik për disa orë në shenjë respekti për gjithë vuajtjet e pamerituara të viktimave të diktaturës komuniste.
Shqipëria vuajti për afro gjysëm shekulli shtypjen e njërit prej regjimeve më të ashpra komuniste të Europës lindore, por ende sot pas 3 dekadash zyrtarët dhe nostalgjikët e atij regjimi anti-human nuk shfaqin asnjë pendesë, asgjë falje dhe pengojnë ndriçimin e krimeve të diktaturës, si edhe rehabilitimin moral e shëndetësor të viktimave të saj në shoqëri.