Shqipëri: Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, shkelje dhe presione

Në Ditën Botërore të lirisë së shtypit, gazetarët dhe mediat shqiptare gjenden përballë sfidave të rënda. Ato kanë të bëjnë me vërtetësinë e raportimit përballë presioneve politike e qeveritare.

Studiuesit pohojnë se problemi më i vështirë, që ka sot gazetaria në Shqipëri është dyzimi i mediave mes lajmeve të zëdhënësve dhe lajmeve të gazetarëve.

Your browser doesn’t support HTML5

Dita e Lirisë së Shtypit në Shqipëri

Studiues të pavarur të medias dhe shoqërisë shqiptare pohojnë se gazetarët profesionistë po punojnë në një mjedis krejt të papërshtatshëm, i cili dëmton ndjeshëm saktësinë e informimit të opinionit publik.

Shefi i departamentit të gazetarisë, dr. Mark Marku thotë nga një auditor i Universitetit të Tiranës, se “mediat tradicionale shqiptare janë nën një presion të jashtëzakonshëm politik për të bërë propagandë dhe se në Shqipëri po vritet gazetaria në mënyra të buta pa i prekur gazetarët, jo si ndodh në shtete të tjera ku vriten gazetarët dhe mbijeton gazetaria”.

Lajmet e prodhuara nga qeveria, sipas tij, shpesh u mbivendosen lajmeve të gazetarëve dhe publiku mashtrohet mbi mënyrën se si qeveria kryen detyrat dhe si përdor paratë publike. Përditë, thotë ai, ka një duel shumë të fortë mes lajmeve të gazetarëve dhe teksteve propagandistike qeveritare, që ushqejnë qytetarët me të dhëna dhe imazhe të rreme, që flasin për mirëqeverisjen.

Zoti Marku thotë se qeveria u bën përditë presion mediave për të kontrolluar pyetjet e intervistave, për të kontrolluar temat e debateve dhe listat e të ftuarve nëpër studio, madje sajohen tema artificiale, që të mbulohet realiteti.

Studiues të tjerë, kur flasin për këtë temë, i ndajnë gazetarët nga pronarët e mediave. Besar Likmeta, autori i një studimi për gjendjen e shtypit, nga Rrjeti i Reporterëve Investigativë të Ballkanit, BIRN, thotë se “gazetarët shqiptarë janë shumica kurajozë dhe sakrifikojnë përditë për të raportuar të vërtetën, por janë në kundërshti të përditshme me pronarët e mediave jotransparente, ku punojnë”.

Zoti Likmeta thotë se “në vend që të jenë ndërmjetëse mes qytetarëve dhe qeverisë, mediat po përdoren si ndërmjetësues midis qeverisë dhe kompanive”, dhe se “marrëdhëniet e pronarit biznesmen me qeverinë shndërrohet në presion ndaj gazetarëve”.

Sipas tij, qeveria bën favorizime të mëdha për bizneset që kanë media në pronësi, ndërsa kompanitë me media ia shpërblejne qeverisë me lajme të njëanshme, ose duketransmetuar prodhimet propagandistike qeveritare.

Studiuesit pohojnë se presioni i qeverisë ndaj medias është i shumëllojshëm; duke nisur nga prodhimi i lajmeve prej zyrave të qeverisë, nga transmetimet propagandistike të televizionit personal të kryeministrit Rama, deri tek detyrimi i mediave që të përhapin lajmet e prodhuara nga qeveria, dhe të ndalojnë lajmet që gazetarët sjellin nga terreni, por që nuk i përshtaten qeverisë.

Tregu i mediave është i varfër, megjithatë mediat nuk mbyllen si të falimentuara por mbahen si bisneze të dyta dhe të treta nga kompani të mëdha për të mbrojtur imazhin e tyre dhe për të siguruar lidhje me qeverinë, duke u shërbyer herë pronarit dhe herë qeveritarëve.

Pronarë me disa biznese mbajnë hapur me fitimet e biznesit të parë media të falimentuara dhe të kontrolluara në shërbim të politikës.

Bizneset mediatike po kalojnë një krizë të fortë, gjë që duket në statusin ekonomik të gazetarëve, në cilësinë e ulët të rubrikave dhe programeve.

Studiuesit pohojnë se një pjesë jo e vogël e mediave po u rezistojnë presioneve politike dhe kontrollit të pronarëve, por hapësirat e fjalës së lirë po zvogëlohen gjithnjë e më shumë dhe kjo është për t’u shqetësuar dhe për të reaguar sa më parë.

Sipas tyre, presionet dhe autocensura po i largojnë gazetarët nga misioni i vet natyral, t’u shërbejnë qytetarëve, por një pjesë jo e vogël e tyre arrijnë ta kryejnë këtë detyrë me shumë sakrifica.

Nga ana tjetër, gazetarët nuk kanë sindikata dhe të drejtat e tyre si punëmarrës nuk monitorohen si duhet nga qeveria, ndërsa gjykatat nuk janë aq të lira sa gazetari të kërkojë të drejtën e tij ndaj pronarëve.