Trump: Negociatat, më të rëndësishme sesa hetimi Mueller

Presidenti Donald Trump sinjalizoi sot se ai mendon se negociatat mbi armët bërthamore të Koresë së Veriut dhe marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë janë më të rëndësishme se hetimi penal mbi lidhjet e mundëshme të zyrtarëve të fushatës së tij me Rusinë dhe nëse ai është përpjekur të pengojë hetimin.

"Nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë, kjo është gjyeti shtrigash” shkruante zoti Trump në një postim në Twitter. Ai tha se nuk ka patur pengim të drejtësisë dhe se ky është një kurth.

Ndërkohë ish-avokati i presidentit amerikan Donald Trump thotë se Prokurori i Posaçëm që heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, ka ngritur mundësinë që presidenti të detyrohet ligjërisht për të dëshmuar lidhur me hetimet.

John Dowd i tha agjencive të lajmeve Associated Press dhe Reuters se Prokurori i Posaçëm Robert Mueller e diskutoi mundësinë e thirrjes për të dëshmuar të Presidentit Trump gjatë një takimi me ekipin ligjor të presidentit në fillim të marsit. Komentet e zotit Dowd i konfirmoi një shkrim i botuar më parë në gazetën “The Washington Post”.

John Dowd dha dorëheqjen nga ekipi ligjor i zotit Trump menjëherë pas takimit me zotin Mueller.

Prokurori i Posaçëm po shqyrton gjithashtu gjithashtu lidhur me mundësitë e një koordinimi mes zyrtarëve të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë, për të ndërhyrë në zgjedhje si dhe nëse zoti Trump ka kryer veprime për të penguar hetimet.

Presidenti Trump i ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat se njerëzit e fushatës së tij kanë bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë, për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016, duke e quajtur hetimin e zotit Mueller "një gjueti shtrigash".

New York Times publikoi të martën një listë prej 44 pyetjesh bazuar tek të cilat, sipas gazetës, Prokurori i Posaçëm dëshiron të pyesë Presidentit Trump si pjesë e hetimit të tij. Në shkrim thuhet gjithashtu se lista ishte hartuar nga avokatët e zotit Trump bazuar në pyetjet që hetuesit e Prokurorit të Posaçëm u kishin lexuar atyre.

Pyetjet variojnë nga shkarkimi prej zotit Trump i ish-këshilltarit të tij për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn dhe ish-drejtorit të FBI James Comey, tek hetimet e përgjithshme mbi atë se çfarë dinte zoti Trump për koordinimin e pretenduar ndërmjet njerëzve të fushatës së tij presidenciale dhe Rusisë.

Zoti Trump denoncoi rrjedhjen në shtyp të pyetjeve. Dje në një postim në twiter ai e cilësoi atë një veprim të turpshëm. “Nuk ka asnjë pyetje për ndonjë marrëveshje të fshehtë" shkruante ai.