Grupi Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin më vdekjeprurës ndaj gazetarëve në Afganistan që nga viti 2002. Të hënën në kryeqytetin afgan Kabul, dy persona kryen sulme vetëvrasëse duke lënë të vdekur së paku 26 vetë, përfshirë nëntë gazetarë. Rreth 50 persona të tjerë u plagosën mes tyre edhe pesë gazetarë.
Pak pas sulmeve, u zhvillua një ceremoni mortore për një prej fotoreporterëve të vrarë.
"Edhe në luftë ka ligje. Civilët dhe gazetarët që rrezikojnë jetën e tyre për të raportuar nga vende të rrezikshme dhe të vështira nuk duhet të jenë asnjëherë objektiv. Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian mbështesin popullin afgan dhe gazetarët në mbarë botën", tha Margaritis Schinas, shefe e zyrës së komunikimit në Komisionit Evropian.
Autoritetet afgane dhe dëshmitarët thanë se një nga sulmuesit vetëvrasës i cili po ngiste një motoçikletë hodhi veten në erë pranë zyrave të Agjencisë Kombëtare afgane të Zbulimit.
Sipas policisë së Kabulit sulmuesi i dytë shpërtheu eksplozivë ndërsa punonjësit e shpëtimit dhe ekipe mediatike u mblodhën në vendngjarje pak minuta më vonë.
Nëpërmjet një deklarate Zëri i Amerikës shprehte trishtimin lidhur me humbjen e gazetarëve të rrjetit simotër mediatik, Radios Evropa e Lirë. Duke iu bashkuar komenteve të Presidentin të kësaj organizate mediatike Thomas Kent, që dënonte sulmin, zyrtarët e Zërit të Amerikës thanë se ngjarja ishte një veprim prej frikacakësh kundër civilëve. Në deklaratë shpreheshin ngushëllimet më të thella ndaj familjeve të personave që humbën jetën gjatë sulmeve.
Në deklaratë përmendej gjithashtu fakti se tragjedia vjen vetëm disa ditë përpara Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, tre majit, që shërben si kujtesë për rreziqet me të cilat përballen gazetarët çdo ditë "për t’i përcjellë publikut në mbarë botën lajme të sakta, objektive dhe të besueshme".