Patriarku rus, Kirill, viziton Tiranën

  • Armand Mero

Në Shqipëri, autoritetet më të lartë të vendit pritën sot në takime të veçanta, Patriarkun e Moskës dhe të gjithë Rusive, Kirillin, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Tiranë, që prej së shtunës pasdite.

Presidenti Ilir Meta, i cili mbrëmë shtroi dhe një darkë zyrtare në nder të Patriarkut Kirill, tha sot gjatë takimit me të se vizita në Shqipëri përcjell mesazhe në dobi të paqes, së mirëkuptimit, solidaritetit dhe harmonisë fetare, duke theksuar se "roli i besimeve fetare është i pazëvendësueshëm për paqen, bashkëjetesën dhe harmoninë midis popujve dhe kombeve".


Patriarku Kirill vlerësoi në mënyrë të veçantë bashkëjetesën mes besimeve të ndryshme në Shqipëri dhe punën e bërë nga klerikët shqiptarë në këtë drejtim. Ai gjithashtu vuri në dukje dhe ndryshimet e mëdha që ka pësuar vendi, gjë të cilën e theksoi dhe në takimin që pati me kryeministrin Edi Rama.

Ky i fundit shprehur kënaqësinë që kjo vizitë përkon edhe me 110-vjetorin e Kishës Autoqefale Shqiptare, ndërsa shtoi se Kisha ruse, përtej besimit, përfaqëson edhe një vatër të jashtëzakonshme të artit dhe të kulturës.

Patriarku Kirill ka qenë dhe më herët, në vitin 2003 në Shqipëri, por kjo është vizita e parë e Primatit të Kishës Orthodokse ruse. Ai mbërriti në Tiranë me ftesë të Kishës Orthodhokse Autoqefale. Të dielën së bashku me Kryepiskopin Anastas drejtuan meshën në Katedralen e Hirshme "Ngjallja e Krishtit".