Roja bregdetare italiane tha se bllokoi në brigjet e Salentos rreth 2 ton marijuanë me prejardhje nga Shqipëria. Policia italiane tha se arrestoi katër skafistët nga Shqipëria dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov. Policia tha se kishte grumbulluar sasinë e madhe të drogës që trafikantët e hodhën në det përpara se të arrestoheshin.
Burimet italiane nuk kanë qartësuar se nga u nis ngarkesa e madhe e drogës. Gati një muaj më parë në po këtë zonë ishte bllokuar gjysëm ton marijuanë po në një motoskaf që ishte nisur nga brigjet shqiptare. Italia është destinacioni kryesor i marijuanës së kultivuar në Shqipëri. Rrjetet e trafikut shfrytëzojnë hapësirën detare nga Vlora drejt Italisë për të transportuar sasi të mëdha droge me mjete të shpejta lundrimi.
Sasi të mëdha marijuane edhe drejt Greqisë
Sasi të mëdha marijuane janë bllokuar kohët e fundit edhe në kufirin greko- shqiptar, sipas policies greke. Disa qindra kilogramë marijuanë janë bllokuar në automjete që udhëtojnë nga zonat e kufirit për në thellësi të Greqisë. Mes të arrestuarve krahas shtetasve shqiptarë ka pasur edhe shtetas grekë. Sipas të dhënave të Policisë greke vetëm gjatë muajit mars u bllokuan rreth 1,3 tonë marijuanë në raste të shumta në zonat fqinje me Shqipërinë.