Në Turqi, po mbahen veprimtari përkujtimore për të shënuar vrasjet masive të armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore nga forcat osomane.
Vrasjet, të konsideruara si gjenocid nga pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, mbeten një temë e debatueshme, me Ankaranë që pretendon fuqishëm se vdekjet ishin rezultat i një lufte civile, në të cilën u vranë edhe shumë turq.
Grupe turko-armene, së bashku me organizatat joqeveritare kryesisht në Stamboll, qytetin më të madh të Turqisë, po organizojnë një sërë aktivitetesh për të kujtuar ngjarjen.
Të martën, janë planifikuar ceremoni publike pranë disa prej shtëpive të 270 intelektualëve armenas, udhëheqësve fetarë dhe civilë të arrestuar në Stamboll më 24 prill të vitit 1916. Arrestimet shënuan fillimin e deportimeve masive dhe vrasjeve të armenëve anembanë Turqisë. Sipas një versioni të ngjarjeve, të pranuar nga shumë historianë, rreth një milion e gjysmë njerëz u vranë ndërsa Perandoria Osmane u shpërbë.
Deri në ardhjen në fuqi të Partisë AK në vitin 2002, ishte i ndaluar diskutimi publik, që sfidonte versionin zyrtar të ngjarjeve nga shteti turk.
"Ka patur një farë tolerance nga shteti. Zyrtarët nuk merrnin pjesë, por lejonin përkujtimet, botimet e librave, artikujve, tubimet e kështu me radhë", thotë profesori i shkencave politike Cengiz Aktar. "Por ky përparim është ndalur, për shkak të mjedisit shumë kufizues të fjalës së lirë," shton zoti Aktar, duke iu referuar sistuatës së jashtëzakonshme ende në fuqi, që pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.
Analistët thonë se aktivistët që kërkojnë njohjen e vrasjeve si gjenocid po e përqendrojnë vëmendjen tek presidenti amerikan, Donald Trump. “E vetmja gjë që mund të ndodhë është që zoti Trump të përdorë fjalën gjenocid. Ndoshta ndodh. Do shohim. Ka disa tregues që presidenti Trump mund ta bëjë një gjë të tillë”, thotë zoti Aktar. “Administrata amerikane, Senati, Dhoma e Përfaqësuesve po bëhen gjithnjë e më nervoze me Turqinë; presidenti mund ta përdorë fjalën gjenocid".
Më 24 prill, presidentët amerikanë mbajnë një fjalim për të shënuar vrasjet masive të armenëve. Vitin e kaluar presidenti Trump, ashtu si paraardhësit e tij, e shmangu përdorimin e fjalës gjenocid, duke përdorur në vend të saj frazën armene, "Meds Yeghern", që do të thotë fatkeqësi e madhe. Këtë muaj, më shumë se 100 anëtarë të Kongresit amerikan i shkruan presidentit Trump, duke i bërë thirrje të njohë vrasjet e armenëve si gjenocid.
Turqia i ka zemëruar Shtetet e Bashkuara kohët e fundit për disa çështje, duke përfshirë Sirinë, burgosjen e shtetasve amerikanë dhe punonjësve lokalë të misioneve diplomatike, si dhe thellimin e lidhjeve të Ankarasë me Moskën.
"Sigurisht që është e vërtetë se krahasuar me vitet e kaluara, aftësia e Turqisë për të ndikuar Kongresin (kundër përdorimit të fjalës gjenocid) është zvogëluar shumë", thotë analisti Sinan Ulgen, një studiues në institutin Carnegie të Europës me bazë në Bruksel.
Analisti Ulgen thotë se Ankaraja do të përfitojë nga ndjeshmëria e presidentit Trump ndaj Turqisë. "Ekziston një numër i konsiderueshëm votuesish për ekzekutivin, përfshi Presidentin Trump, i cili beson dhe kupton vlerën e Turqisë. Pra, sigurisht që ka përpjekje që duan të rivendosin një farë ekuilibri dhe drejtimi në marrëdhëniet dypalëshe ".
Nëse presidenti Trump do të përdorë fjalën genocid, vëzhguesit sugjerojnë se presidenti Erdogan do ta shfrytëzojë rastin për të nxitur ndjenjën nacionaliste dhe anti-amerikanizmin ndërsa Turqia përgatitet për zgjedhjet presidenciale dhe të përgjithshme në qershor.
Ankaraja megjithatë ka gjasa të jetë më e shqetësuar nga miratimi i ndonjë rezolute në Kongres për për njohjen e gjenocidit armen. "Rezoluta e Kongresit është shumë më e detyrueshme se sa një deklaratë presidenciale," thotë profesori i shkencave politik Aktar. "Ankaraja do të jetë më e shqetësuar dhe e inatosur, dhe deri tani Kongresi nuk ka miratuar një rezolutë. Por me ndjenjat anti-turke tani, ajo mund të miratohet, është diçka që thuhet se mund të ndodhë në një të ardhme, por jo tani", shton zoti Aktar.
Vitet e fundit, një numër në rritje vendesh i kanë njohur vrasjet masive të armenëve si gjenocid. Duke pasur parasysh valën në rritje të njohjes, ekspertët sugjerojnë se reagimi i Ankarasë është bërë më i përmbajtur. "Parlamenti holandez miratoi kohët e fundit një rezolutë për gjenocidin armen; gjithçka pamë ishin disa fjalë të forta dhe asgjë tjetër ", thotë eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Soli Ozel në Universitetin Kadir Has të Stambollit.
"Qeveria e Turqisë ka vendosur se është më mirë të ruash qetësinë sesa të ngresh zërin çdo herë që ndodh diçka e rëndësishme apo e parëndësishme. Kjo mund të jetë e vërtetë edhe për amerikanët; por pranimi amerikan i një genocide, është dukshëm më i rëndësishëm se çdo vend tjetër ", shton zoti Ozel.
Nëse Kongresi i njeh vrasjet armene si gjenocid, ekspertët sugjerojnë se kjo mund të hapë rrugën për shumë raste ligjore kundër Turqisë nga të afërmit e të vrarëve. Gjenocidi nuk ka një statut ligjor të kufizuar. Edhe pse Ankaraja ka humbur shumë nga aleatët e saj në Uashington, ajo mund të ketë ende njëfarë mbështetjeje. "Pala turke u përpoq të mbante marrëdhënie me lobet hebraike apo pro-izraelite mjaft mirë", tha eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ozel. "Sa herë që presidenti Erdogan viziton Shtetet e Bashkuara, ai sigurohet të takojë organizatat hebraike, kështu që ndoshta ata janë në anën e tij, dhe nëse kjo është e vërtetë, atëherë ai ka një shans për të luftuar".