Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi të martën se Europa po copëzohet në një lloj “lufte civile” mes shteteve demokratike dhe autoritare. Në një fjalim që mbajti para Parlamentit Europian në Strasburg, zoti Macron i bëri thirrje organizatës së 28 vendeve të bashkohet përballë rrymave populiste e nacionaliste, që kanë rrezikuar konceptin e Europës si një bastion i demokracisë liberale.
Presidenti francez i bëri këto komente në kushtet kur Britania largohet nga BE-ja vitin e ardhsëm dhe udhëheqës populistë, eurospektikë kanë fituar zgjedhjet në Hungari dhe Itali. Bashkimi Europian po përballet gjithashtu me qeverinë e Polonisë lidhur me pavarësinë e sistemit gjyqësor.
"Duket se po ndodh një luftë civile europiane, ku ndryshimet mes nesh dhe nganjëherë egotizmi kombëtar mund të duken më të rëndësishme se sa paraqitja e vizioni të bashkuar ndaj botës. Vihet re një lloj magjepseje me paragjykimet, që është duke rritur vazhdimisht”.
Por Macron deklaroi se për një Europë "që përballet me autoritarizmin, përgjigja nuk është autoritarizmi demokratik, por autoriteti i demokracisë.”
Shumica e ligjvënësve europianë e pritën me ovacione fjalimin e zotit Macron, por nacionalistë nga Britania, Franca dhe vende të tjera qëndruan në heshtje.
Macron bëri të njohur planin e tij për një BE më të bashkuar. Ai bëri thirrje për një taksë të re ndaj ekonomisë dixhitale, për të ndihmuar buxhetin e BE-së, më tepër mbështetje për refugjatët, përballë valëve në rritje të imigrantëve në disa vende, bashkëpunim më të afërt për mbrojtjen dhe një menaxhim më të mirë të monedhës europiane, Euros.