Në Shqipëri një tjetër gjyqtar, Besim Trezhnjeva, i Apelit në Durrës nuk e kaloi dot provën e verifikimit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi sot vendimin për shkarkimin e tij. Trezhnjeva, i cili është kandidat për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, institucionin i cili pritet të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, rezulton se nuk mund të justifikojë pasurinë e deklaruar.
Gjykatësi, ka në pronësi katër apartamente, tre në Tiranë e një në Durrës, si dhe një sipërfaqe prej afër 2 mijë metra katrorë tokë në Baldushk, dhe një automjet me vlerë 16 mijë euro. Por sipas verifikimeve, kjo pasuri nuk përputhet me të ardhurat e tij dhe pjesëtarëve të familjes së tij, ndërkohë që nga të dhënat e Komisionit, Trezhnjeva, “ka devijuar destinacionin e një kredie me vlerë 50 mijë euro, të cilën e ka deklaruar për blerjen e njërit prej apartamenteve në Tiranë, ndërkohë që paratë kanë shkuar për të shlyer apartamentin në qytetin e Durrësit”.
Vetë gjykatësi, në seancën e parë publike, kur u ballafaqua me Komisionin, hodhi poshtë dyshimet ndaj pasurisë së tij, duke deklaruar se nuk i është llogaritur periudha nga viti 1981 deri në vitin 1994. Edhe avokati i tij, u shpreh sot se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është i padrejtë dhe se do ta ankimojë atë.
Deri tani përpara Komisionit kanë dalë 3 gjyqtarë, nga të cilët vetëm anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha u konsiderua se përmbush kriteret e rivlerësimit, ndërkohë që kolegu i saj, i po kësja Gjykate, Fatos Lulo, u shkarkua, për shak se nuk justifikonte dot pasurinë e deklaruar.