Në Tiranë u mbajt sot në mjediset e parlamentit, forum i shoqërisë civile mbi të drejtat qytetare dhe politike të komunitetit LGBTI në Shqipëri. Folësit u përqëndruan tek pjesëmarrja politike e personave LGBTI.
Ambasadori amerikan Donald Lu tha se gjendja është përmirësuar, por ka ende shumë diskriminim në shoqëri për ta.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai shprehu vendosmërinë për të mbështetur të drejtat e njeriut në cdo segment, dhe kujtoi se si vite më parë veprimtaritë e komunitetit LGBTI paragjykoheshin dhe goditeshin me vezë apo domate.
“Vërtet kam parë përparim gjatë 3 viteve të mia në Tiranë, por kam parë edhe diskriminimin dhe homofobi të vazhdueshme. Kam parë fare pak politikanë të gatshëm që të marrin pjesë në aktivitete e të mbështetin nisma. Unë besoj se populli shqiptar është bujar dhe tolerant. Shpresoj se edhe politikanët do të jenë tolerantë. Diskriminimit të komunitetit LGBTI i duhet dhënë fund” – tha ambasadori Lu.
Ndërsa ambasadorja e BE, Romana Vlahutin tha se Brukseli është përkrah cdo grupi vulnerabël. “Ata nuk duan të kenë më shumë ose më pak të drejta; thjesht duan të kenë të njëjtat të drejta njerëzore, si kushdo tjetër që përfaqësohet nga i njëjti parlament - tha ajo. - Duhet pranuar se vitet e fundit kushtet e komunitetit lgbt janë përmirësuar, kryesisht prej guximit të veprimtarëve të tyre, si edhe prej përmirësimit të ligjeve. Javët e fundit komuniteti lgbt pësoi diskriminim, përjashtim dhe fjalime urrejtje.
Sipas saj, antarësimi në BE është një zgjedhje me vlerë, respekti ndaj të drejtave themelore, toleranca, pranimi i diversitetit janë themelore dhe përcaktojnë se kush jemi ne si Bashkim.
Shqipëria ka miratuar një plan veprimi për komunitetin LGBT dhe zbatimi i tij kërkon një angazhim të fortë nga qeveria, dhe përpjekje me mendje të hapura nga parlamenti.
Oratorët pohuan se përparimi i vendit drejt Europës varet nga përmbushja e të drejtave njerëzore dhe pranimi i diversitetit.
Shqipëria është një vend demokratik dhe nevojitet të jetë tolerant, edhe sa u takon politikanëve, zyrtarëve dhe njerëzve në media dhe në familje çdo ditë të vitit.