Taksa në Rrugën e Kombit, Gjiknuri: Do duhej më shumë informim

Në Shqipëri, ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri tha sot se lidhur me tarifën që duhet të paguhet në Rrugën e Kombit mund të ishte bërë më shumë sa i përket informimit dhe konsultimit me publikun, duke nënvizuar se sidoqoftë kjo nuk i justifikon ngjarjet e dhunshme që ndodhën fundjavën e shkuar

Ministri Gjiknuri tha se kontrata koncesionare parashikon që brenda 6 muajsh të evidentohen përdoruesit e shpeshtë dhe atyre do t’u bëhej një abone me tarifë të reduktuar. Por ai shpjegoi se kanë filluar diskutimet për këtë çështje me kompaninë koncesionare “për të gjetur një zgjidhje në një periudhë shumë të afërt në mënyrë që t’i prezantohet më pas qytetarëve”.

Zoti Gjiknuri bëri dhe një përshkrim të të gjithë procesit, të nisur që në vitin 2011, për vendosjen e një takse mbi këtë aks rrugor, duke i mëshuar faktit se dhënia me koncesion është zgjidhja më e mirë për t’i bërë ballë kostove të larta të mirëmbajtjes së rrugës por dhe të përfundimit të pjesëve që janë lënë në mes.

Shpjegimet e ministrit vijnë pasi fundjavën e shkuar protesta e qindra qytetarëve përfundoi me përplase të forta me policinë dhe djegien e sporteleve të pagesës. Të paktën 23 persona janë arrestuar, ndërsa 13 të tjerë janë në kërkim. Një pjesë e të arrestuarve gjenden në Tiranë, ku edhe sot pati manifestime para drejtorisë së policisë së kryeqytetit, për të kërkuar lirimin e tyre. Seanca për masën e sigurisë do të zhvillohet nesër, dhe sipas të gjitha gjasave do të mbahet në Tiranë dhe jo në Gjykatën e Kukësit.