Karvani i emigrantëve drejt Shteteve të Bashkuara

Qeveria meksikane thotë se do t’u ofrojë statusin e refugjatit personave që janë pjesë e një karvani emigrantësh nga vende të Amerikës Qendrore. Në lidhje me këtë karvan, Presidenti amerikan Donald Trump pati shkruar mesazhe alarmante në Twitter, duke theksuar nevojën e forcimit të kufirit të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Trump ishte ankuar për një varg të gjatë prej 1100 personash që po marshonin përmes Meksikës për t’iu larguar varfërisë dhe dhunës në Amerikën Qendrore, me shpresën se mund të fitojnë azil në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump po akuzon gjithashtu demokratët se nuk bashkëpunojnë me republikanët për t’u dhënë një zgjidhje personave të sjellë ilegalisht nga prindërit e tyre, kur ishin në moshë të mitur.

Ish-përfituesit e preogramit DACA, të krijuar nga Presidenti Obama, vazhdojnë të ngrenë zërin e tyre, megjithëse Presidenti Trump tha se programi DACA nuk ekziston më, pasi demokratët nuk kanë më interes. Presidenti hoqi kështu çdo përgjegjësi nga partia e tij republikane.

Presidenti Trump u shpreh se: “Demokratët i lanë në baltë. Patën një mundësi të mrekullueshme dhe demokratët i braktisën. Tashmë po shfrytëzohet DACA. Është turp. Nuk duhet të kishte ndodhur kështu”.

Vendimet e gjykatave kanë bllokuar përkohësisht deportimin e këtyre emigrantëve, shumë prej të cilëve kanë njohur vetëm Shtetet e Bashkuara si atdheun e tyre. Por, Presidenti Trump dhe ligjvënësit demokratë nuk arritën në një zgjidhje ligjore të përhershme.

Ligji i buxhetit që financon qeverinë amerikane deri në muajin shtator nuk e përfshin këtë çështje.