Urdhëri për dëbimin e një diplomati rus nga Maqedonia ka nxitur një retorikë kërcënuese nga Federata ruse ndaj vendit të vogël ballkanik, ndërkohë që Shkupi me tone të matura përpiqet t’i ulë tensionet.
Diplomati rus, emri i të cilit nuk u bë i ditur, përveç se u dëbua në shenjë solidarizimi me Britaninë e Madhe për rastin Skripal, merrej edhe me veprimtari spiunazhi, sipas ministrisë së jashtme maqedonase.
Ambasadori rus në Shkup Oleg Shçerbak ndërkaq duke shprehur qëndrimet e Moskës kundër anëtarësimit të mundëshëm të Maqedonisë në NATO tha se vendi i tij, në rast të një konflikti me aleancën veriatlantike, nuk do të përjashtonte Maqedoninë si cak i sulmeve eventuale ruse.
Autoritetet maqedonase, megjithatë përpiqen t’i mënjanojnë retorikat e ashpra dhe as nuk dihet nëse do ta thërrasin për shpejgim ambasadorin Shçerbak.
Kryeministri maqedonas zoran Zaev shpreson se Rusia dhe Maqedonia do të ndërtojnë miqësi midis tyre dhe jo të thellojnë përplasjet verbale; por thotë se Konventa e Vjenës është shumë e rëndësishme dhe e saktë dhe ligjet e Maqedonisë po ashtu. “Ne kemi vepruar vetëm mbi bazë të Konventës së Vjenës dhe ligjeve të Maqedonisë, ndërkohë që disa herë i është tërhequr vërjetja përfaqësuesve diplomatik rusë në Maqedoni që të mos veprojnë jashta këtyre kornizave”, thotë ai.
Maqedonia, tha kryeministri Zaev, ka synime strategjike dhe ato janë anëtarësimi fuqiplotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Por, ne shtoi ai, nuk kërkojmë anëtarësim në NATO që të sulmojmë dikë por që të kujdesemi për paqen në botë së bashku me vendet e aleancës. Ne e kërkojmë këtë për shkak të vlerave të NATO-s dhe sundimit të ligjit, vlerat që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, lirinë e fjalës, që janë vlera të Natos dhe BE-së dhe këto janë arësyet pse mbi 75 përqind e qytetarëve të Maqedonisë janë orientuar kah këto organizata, u tha Zaev mjeteve të informimit.
Ai përsëriti se dëshiron përmirësimin e marrëdhnjëve me Federatën Ruse për çka tha se të dy vendet mund të kenë dobi dhe siç u shpreh, në Maqedoni ka një shumicë dërrmuese të orthodoksëve-sllavë si edhe në Rusi që paraqet një lidhshmëri në mes tyre.
Përpjekjet për shtrirjen e ndikimit rus nga ana tjetër, sipas analistëve nuk mund të rezultojnë me sukses në Maqedonisë për shkak të përcaktimit të popullit të këtij vendit drejt integrimeve euro-atlantike