Ministria e Jashtme ruse thirri sot ambasadorët e vendeve të huaja që kanë dëbuar diplomatë rusë, për t'u dorëzuar atyre nota proteste dhe për t'i informuar mbi kundërpërgjigjen e Rusisë. Vendet e njoftuara sot për dëbimet ishin 23, mes tyre edhe Shqipëria.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ka njoftuar ambasadorët e shumicës së vendeve që urdhëruan dëbimin e diplomatëve rusë se një numër i barabartë diplomatësh të tyre janë shpallur persona non grata.
Rusia njoftoi dje se do të dëbonte 60 diplomatë amerikanë si kundërpërgjigje ndaj hapit të ndërmarrë nga Uashingtoni.
Shtetet e Bashkuara deklaruan se nuk ka asnjë justifikim për largimin e diplomatëve amerikanë.
Mbrëmë, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë ku thuhej se veprimi i Moskës "shënon një keqësim të mëtejshëm" të marrëdhënieve midis SHBA dhe Rusisë.
"Dëbimi i zyrtarëve të padeklaruar të inteligjencës ruse nga Shtetet e Bashkuara dhe nga më shumë se 24 vende partnere dhe aleatë të NATO-s këtë javë ishte një përgjigje e përshtatshme ndaj sulmit rus në territorin e Mbretërisë së Bashkuar. Përgjigja e Rusisë nuk ishte e papritur," thuhej në deklaratë.
Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë dhe Çështjet Publike, Heather Nauert, gjithashtu kritikoi veprimet e Moskës, të njoftuara më parë gjatë ditës nga ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov.
"Rusia nuk duhet të sillet si viktimë", tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, duke vënë në dukje se viktimat e vetme dhe të vërteta janë ata që u helmuan më 4 mars me agjent nervor në qytetin britanik Salisbury.
"Është e qartë nga lista që na u dorëzua se Federata Ruse nuk është e interesuar për një dialog mbi çështjet që kanë rëndësi për dy vendet tona", "Ne rezervojmë të drejtën për t'u përgjigjur", tha zëdhënësja.
"Shtetet e Bashkuara janë më mirë me më pak spiunë rusë," u tha zonja Nauert gazetarëve.
Moska mohon përgjegjësinë për sulmin me agjent nervor. Ajo thotë se sulmi është kryer nga shërbimet e inteligjencës britanike në mënyrë që Rusia të paraqitet në dritë të errët. Britania e hedh poshtë këtë pohim.
Ambasadori i SHBA në Rusi, Jon Huntsman - i cili u thirr të enjten në ministrinë e jashtme ruse - i tha Zërit të Amerikës se është dëshira e SHBA, që të ruajnë dialogun mbi çështjet që kanë rëndësi më të madhe.
“Të tilla janë stabiliteti strategjik dhe kontrolli i armëve; ato nuk janë vetëm çështje mes SHBA dhe Rusisë, por në të vërtetë ndikojnë në stabilitetin dhe mirëqenien e gjithë globit".
Kryeministrja britanike Theresa May, në një telefonatë këtë javë me Presidentin Donald Trump, vlerësoi "reagimin mjaft të fortë" të Uashingtonit pas helmimit.
Shtëpia e Bardhë tha: "Dy udhëheqësit ranë dakord për rëndësinë e çmontimit të rrjeteve ruse të spiunazhit në Mbretërinë e Bashkuar dhe që Shtetet e Bashkuara të frenojnë aktivitetet klandestine ruse si dhe të parandalojnë sulme me armë kimike në territorin e tyre".
Zoti Huntsman thotë se ballafaqimi me Rusinë nuk do të përfundojë edhe nëse Kremlini i kufizon kundër-masat në një përgjigje simetrike. Çështjet që ndajnë Perëndimin nga Lindja nuk kanë të bëjnë vetëm me helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij 33-vjeçare Yulia.
“…Një rezultat i suksesshëm do të ishte, që Rusia të tërhiqej nga aktivitetet keqdashëse dhe të bëhej një partner i përgjegjshëm”. Ai citon si shembull Sirinë, duke u ankuar se Rusia votoi pesë herë në Këshillin e Sigurimit kundër zhvillimit të hetimeve për përdorimin e armëve kimike nga Siria,” tha ambasadori Huntsman.