Ministri i punëve të jashtme Ditmir Bushati ishte sërish sot para komisionit parlamentar të politikë të jashtme, ku dha më shumë detaje nga paketa e bisedimeve me Greqinë.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai replikoi me deputetë të opozitës për detaje të bisedimeve shqiptaro-greke.
Por studiues të pavarur vlerësojnë se procesi dhe polemikat vuajnë nga mungesa e seriozitetit dhe e transparencës.
Ministri Bushati tha se Greqia hoqi dje rezervën e vulës apostile për dokumentat e shtetasve shqiptarë, dhe e quajti këtë një lajm të gëzuar për shqiptarë, që kanë miliona euro për ta siguruar atë.
Kjo, sipas tij, është pjesë e një procesi që ka nisur disa vite më parë mes dy vendeve në tema të grupuara si historike prej ligjit të luftës, tema aktuale nga konsullatat, patentat dhe telashe të përditshme, dhe grupi i tretë tema të natyrës strategjike, ku hyjnë diskutimet mbi kufijtë.
“Diskutimet janë për një marrëveshje të re për delimitimin e kufijve detarë me Greqinë”, - tha ai.
Por opozita akuzoi qeverinë se dëmtoi qëllimisht marrëdhëniet me Greqinë për të shkuar në bisedimet me fqinjët në një raport të ri provokues. Deputeti Tritan Shehu i Partisë Demokratike, tha se “për të favorizuar rolin e Serbisë në rajon qeveria Rama u përpoq të dëmtonte imazhin dhe rolin e Greqisë si vend anëtar i BE-së dhe gjithmonë pro Shqipërisë”.
Studiues të pavarur vlerësojnë që institucionet shqiptare nuk kanë komunikim të rregullt mes tyre për çështje me interes kombëtar, sic janë bisedimet me Greqinë.
Profesor Roland Lami, ekspert i çështjeve politike të brendshme dhe atyre ndërkombëtare, thotë se edhe demokratët edhe socialistë janë sot në të njëjtat kushte mungesë transparence dhe akuzash të ndërsjellta, si në vitin 2009.
"Njëlloj mungon transparenca, njëlloj presidenti bëhet pjesëmarrës, njëlloj qeveria nuk konsultohet me ekspertët dhe me publikun e gjerë, dhe po njëlloj qytetarët marrin vesh vetëm disa copëra të shkëputura nga media mbi bisedimet, derisa marrëveshjet të bëhen fakt i kryer" - tha zoti Lami.
Ai thotë se fakti që diskutohet për herë të dytë pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese duhet t’i bënte palët më serioze për një çështje me kaq rëndësi sa janë ndarja e territoreve ujore.
“Edhe këtë radhë partitë nuk po dalin nga axhendat e ngushta politike dhe shfaqin një mungesë serioziteti në trajtimin e çështjeve me rëndësi dhe në sytë e ndërkombëtarëve” - tha studiuesi Lami.
Studiuesit pohojnë se zhvillimet tregojnë edhe një herë tjetër tregojnë papjekurinë e forcave politike në raport me rëndësinë e çështjes, duke parë vetëm axhendat e ngushta partiake.